Connect with us

Champions League

Champions League – Manchester City fiton përballjen me PSG, Liverpool bën detyrën në shtëpi

Manchester City

Manchester City kaloi në fazën me eleminim direkt të Champions League, si fitues i grupit të vet duke arritur të mposhtë me përmbysje Paris St-Germain në Etihad Stadium. Pas dominimit të pjesës së parë, City kaloi në disavantazh në minutën e 50’ të takimit, kur Kylian Mbappe  shndërroi në gol, një krosim të Lionel Messit.

Por Raheem Sterling vendosi barazpeshën në fushën e blertë, duke shënuar golin e barazimit në minutën e 63’ të sfidës. Më pas, Gabriel Jesus përfundoi një aksion mjaft të bukur të “qytetarëve”, duke vulosur fitoren 13 minuta pas golit të parë. Duke marrë për bazë statistikat në fund të takimit, fitorja mund të konsiderohet e merituar për të besuarit e Pep Guardiolës.

Ky rezultat do të thotë se që të katërta klubet angleze në Champions League, kanë vulosur kualifikimin në 16-shen e skuadrave që do të vijojnë rrugëtimin në kompeticionin elitar. Ndërkohë nga ana tjetër, francezët e PSG duhet thënë se dukeshin disi të paqartë në lojën e tyre gjatë takimit. Thashethemet se trajneri Mauricio Pochettino mund t’i bashkohet Manchester United në verë, mund të kenë qënë një nga arsyet për humbjen e parizienëve.

Messi dhe Mbappe patën shancet e tyre për shënim gjatë sfidës, por rastin më të mirë për të barazuar shifrat e kishte Neymar. Braziliani mund të vendoste përsëri barazpeshën disa momente përpara golit të dytë të City, por goditja e tij përfundoi jashtë kuadratit të portës së mbrojtur nga Ederson.

Ndërkohë në një tjetër përballje, Liverpool ruajti rekordin e fitoreve në Champions League këtë sezon, duke mposhtur Porton në Anfield. Djemtë e Jurgen Klopp, të cilët kishin siguruar tashmë vendin e parë në Grupin B, pasi fituan katër ndeshjet e tyre të para, morën tre pikë të tjera kundër skuadrës portugeze. “The Reds” nuk ishin në maksimumin e tyre në pjesën e parë të takimit. Megjithatë, ata shënuan dy gola të bukur gjatë pjesës së dytë, për të arritur një tjetër fitore.

Ishte mesfushori spanjoll Thiago që hapi serinë e golave për Liverpool. Me një goditje fantastike nga distanca, lojtari nuk i la asnjë shanc reagimi portierit kundërshtar duke kaluar ekipin e tij në avantazh. Më pas nuk kishte si të mungonte sulmuesi egjiptian, Mohamed Salah, i cili me lëvizjet e tij klasike nga krahu i djathtë mposhti mbrojtjen e portugezëve, duke dërguar më pas topin në rrjetë. Porto u ndëshkua për humbjen e një rasti ideal pas 11 minutave lojë, kur Otavio, në mënyrë të pashpjegueshme dërgoi topin jashtë porte nga një distancë mjaft e afërt. 

Liverpool mposhti Porton 5-1 në ndeshjen e parë direkte mes skuadrave në Portugali, dhe mund të kishte arritur një fitore të thellë edhe në këtë takim. Por goli i Sadio Mane u anulua nga VAR për pozicion jashtë loje, ashtu si dhe goli i Takumi Minamino. 

Duke parë formën e mirë të “The Reds” jo vetëm në Champions, por dhe në kampionat, ekipi i Jurgen Klopp është ndër favoritët kryesorë për të triumfuar në Champions League këtë sezon.

Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Champions League