Connect with us

Futboll

Merkato – Real Madrid kërkon të finalizojë operacionin Mbappe

mbappe

Sipas prestigjozes GOAL, Real Madrid kërkon të finalizojë transferimin e Kylian Mbappe, përpara transfertave të tjera apo rinovimeve të kontratave. Verën e kaluar sulmuesi francez ishte shumë afër një kalimi në Santiago Bernabeu, por PSG refuzoi ofertën prej 200 milionë eurosh të madrilenëve.

Pavarësisht “telenovelës” së transferimit, Mbappe e la pas përpjekjen e dështuar për t’u larguar nga Parisi, duke shënuar 24 gola në 34 ndeshje gjatë këtij sezoni me PSG. Megjithatë, kontrata e futbollistit skadon në qershor dhe Real Madrid është i destinuar që të afrojë sulmuesin në ekip me kosto zero.

Sipas mediave në Spanjë, Florentino Perez kërkon që Mbappe të jetë afrimi “big” i galaktikëve në verë. Presidenti i Real ka punuar fort për vite me rradhë që të bëjë të mundur transferimin e francezit në Bernabeu. Duke marrë parasysh këtë fakt, bordi drejtues i Real do t’i japë prioritet finalizimit të termave të kontratës me Mbappe.

Momentalisht ende nuk ka një marrëveshje zyrtare mes palëve, por Perez është i qetë dhe i bindur për zgjedhjen e lojtarit. 

Nga ana tjetër, përflitet se spanjollët do t’i ofrojnë kontrata të reja Eder Militao, Vinicius Junior, Marco Asensio dhe Luka Modric. Militao dhe Vinicius pritet të firmosin deri në vitin 2027 me madrilenët, ndërsa kontrata ofruar për Marco Asensio dhe Luka Modric do të jetë më afatshkurtër.

Po përsa i përket Haaland? Fakti që madrilenët janë shumë afër transferimit të Mbappe, nuk do të thotë se Florentino Perez është dorëzuar nga ndjekja e bomberit të Dortmund. Operacioni për transferimin e tij është shumë më i komplikuar, teksa as vet lojtari nuk ka shprehur dëshirën për t’iu bashkuar një ekipi të caktuar, ndryshe nga Mbappe. Ky i fundit e ka shprehur publikisht dëshirën e tij për t’iu bashkuar Real Madrid.

Por spanjollët do të futen zyrtarisht në garë për Haaland, vetëm në momentin që konfirmohet transferimi i Kylian Mbappe.

Deklaratë interesante ka qënë ajo e presidentit të La Liga, Javier Tebas, i cili tha se Real Madrid do të sjellë në Bernabeu si Mbappe, ashtu dhe Haaland. Tebas u tha reporterëve:

“Madrid do të sigurojë Mbappe dhe Haaland pasi të tjerët (Barcelona dhe Juventus) janë të shkatërruar financiarisht.”

Gjithsesi, presidenti i La Ligas u kujdes për të qartësuar se nuk ka asnjë lloj informacioni të brendshëm në lidhje me këtë situatë. Madje Tabas nuk përjashtoi mundësinë që Mbappe të qëndrojë përsëri te PSG. Kjo është dëshira dhe e kryebashkiakes së Parisit, Anne Hidalgo, e cila shprehu simpatinë e saj për sulmuesin:

“Përveç futbollit dhe rezultateve, ai (Mbappe) është i rëndësishëm pasi u jep shpresë të rinjëve tanë. Prandaj dua që të qëndrojë. Dua të them që e duam shumë Mbappe.”

Sipas spanjolles El Mundo, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, gjithashtu po lobon që futbollisti të lidhë një kontratë të re me gjigandët parizienë. Macron është në fakt një tifoz i rivalëve të betuar të PSG, Marseille, por si gjithë të tjerët, dhe presidenti francez e kupton rëndësinë që figura e Mbappe ka në mbarë botën e sportit në Francë.

Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll