Connect with us

Futboll

Inter – E ardhmja e Lautaro Martinez në dyshim

lautaro martinez

Raportimet e fundit të mediave italiane, flasin për një largim të mundshëm të Lautaro Martinez nga skuadra e Inter. Talenti i sulmuesit argjentinas është i padiskutueshëm, por lojtari nuk ia ka dalë asnjëherë të “shpërthejë” me zikaltërit dhe të kthehet në lider brenda ekipit. Kjo do të thotë se në në merkaton e verës, gjithçka mund të ndodhë. Sidomos në rastin e një oferte konkrete, që duket se nuk do të mungojë.

Liverpool po monitoron Martinez dhe drejtori sportive i Inter, Beppe Marotta, mendohet se është duke përgatitur një strategji në rastin e një oferte zyrtare nga “The Reds”. Trajneri Jurgen Klopp e ka vlerësuar gjithmonë argjentinasin, duke e cilësuar atë si një nga sulmuesit më të fortë në botë. Liverpool kishte planifikuar një lëvizje mbi Lautaro përpara se të sillte në Anfield Diogo Jotën, por interesi i anglezëve për sulmuesin e Inter është ende aty. Ai shihet nga Klopp si pasuesi i mundshëm i Firmino, të cilit i skadon kontrata në qershor të vitit 2023. 

Megjithatë, çmimi i kartonit të lojtarit lë shumë hapësira për diskutim. Italianët mendohet se do të kërkojnë rreth 90 milionë euro për shërbimet e Lautaro, por Liverpool nuk është në gjendje të paguajë këtë shifër. Marrëveshja mund të realizohet duke përfshirë një tjetër lojtar të “The Reds” në mes dhe kjo mund t’i interesojë dhe Inter.

Por cilat janë objektivat e kampionëve të Serie A në merkato dhe sa do të jenë të gatshëm zikaltërit të sakrifikojnë, një nga lojtarët e tyre më të mirë? Burimet pranë klubit italian bëjnë me dije se bordi drejtues ka momentalisht 3 objektiva kryesorë në merkato: mbrojtësin Bremer të Torino si dhe Frattesi e Scamacca të Sassuolo. Për Bremer interesohen gjithashtu disa klube të Premier League dhe gjigandët gjermanë të Bayern, por Inter thuhet se kryeson momentalisht garën.

Por një tjetër emër që po qarkullon në media është ai që ka “emocionuar” më shumë tifozët zikaltër. Sipas portalit spanjoll “fichajes.net”, Inter po shikon mundësinë e afrimit të Gabriel Jesús nga Manchester City. Braziliani nuk po gjen dot hapësira në skuadrën e Pep Guardiolës, pavarësisht faktit se është tashmë i vetmi qëndër-sulmues tipik që “qytetarët” kanë në dispozicion.

Gabriel me shumë gjasa nuk dë të rinovojë kontratën e tij me City, pasi lojtari është në kërkim të një klubi ku mund të luajë rregullisht. Inter nga ana tjetër kërkon të mbulojë hapësirat që ka lënë në ekip largimi i Romelu Lukaku drejt Chelsea. Momentalisht sulmi i kampionëve të Italisë përbëhet nga Edin Dzeko dhe Lautaro Martínez. Nëse ky i fundit largohet në fund të sezonit, në skuadër mbetet vetëm Dzeko, i cili është në hapat e fundit të karrierës së tij dhe nuk mund të shtyjë përpara të gjithë sulmin e Inter.

Gabriel Jesús duket se është lojtari me profilin perfekt për Inter. Megjithëse paraqitjet e tij me City kanë qënë të pakëta, sulmuesi ka bërë gjithmonë diferencën në fushën e blertë. Preferencat e Jesús mbi destinacionin e rradhës nuk dihen ende, por në qoftë se lojtari do të luajë rregullisht, sipas të gjitha gjasave ai duhet të largohet nga Etihad.

Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll