Connect with us

Futboll

Merkato – Ja planet e Real Madrid për sezonin e ardhshëm

real madrid

Real Madrid nuk ka ndërmend të bëjë ndryshime ekstreme në organikën e skuadrës për sezonin e ardhshëm. Sipas medias prestigjoze spanjolle “Marca”, madrilenët janë të përqëndruar në përforcimin e sulmit, me objektiv kryesor asin e Paris Saint-Germain, Kylian Mbappe. Bomberi i Dortmund, Erling Haaland është gjithashtu një opsion, dhe nëse Los Blancos nuk arrijnë të sjellin në Madrid asnjë prej këtyre të dyve, ata mund të eksplorojnë disa alternativa interesante në mesfushë.

Humbja përballë PSG në Champions League me rezultatin 1-0 ka lënë një shije të hidhur tek lojtarët dhe trajneri Ancelotti. Që prej atij momenti kanë qarkulluar lajme për një “revolucion” në ekipin madrilen. Por drejtuesit e “Los Blancos” nuk janë të gatshëm që të komplikojnë situatën financiare të klubit. Ajo që dihet tani për tani, është lista e lojtarëve që pritet të largohen.

Gareth Bale, Marcelo dhe Isco do të lihen të lirë nga trajneri Ancelotti, teksa kontratat e tyre janë drejt fundit. Jesus Vallejo, Mariano Diaz dhe Dani Ceballos gjithashtu pritet të largohen. Këta të fundit janë talente premtuese, por pamundësia për t’u aktivizuar rregullisht me skuadrën e parë është diçka që dëmton seriozisht formën e tyre. Për këtë arsye, dhe vet vullneti i lojtarëve mendohet të jetë pro largimit nga Santiago Bernabeu.

Real gjithashtu mund të tentojë të përfitojë të ardhura nga kartoni i Eden Hazard. Ky i fundit asnjëherë nuk ia doli të përshtatej si duhej në ambientin madrilen, duke zhgënyer fansat e galaktikëve që kishin shumë pritshmëri të larta përpara ardhjes së tij në skuadër.

Përsa i përket Marco Asensio, e ardhmja e spanjollit do të vendoset në verë. Talenti i tij është i padiskutueshëm dhe sa herë që i është dhënë mundësia të luajë si tituallar, Asensio ka bërë diferencën në fushë. Për këtë arsye drejtuesit e Real nuk mund ta trajtojnë atë si lojtarët e tjerë në listën e largimeve potenciale.

Mes talenteve të reja, Rafa Marin i Real Madrid B mund t’i jepet shansi të luajë në skuadrën e parë, pas paraqitjeve mjaft të mira me Real Madrid Castilla. Fran Garcia, i cili luan si i huazuar tek Rayo Vallecano gjithashtu mund të kthehet në ekipin e Ancelottit sezonin e ardhshëm.

Përsa i përket mesfushës, Toni Kroos, Casemiro, Fede Valverde, Luka Modric dhe Eduardo Camavinga do të jenë përsëri zgjedhjet e sezonit të ardhshëm. Megjithatë, këto zgjedhje lënë vend për diskutim pasi veteranët e mesfushës madrilene nuk kanë më energjinë e dikurshme për të shtyrë përpara sulmin. Në qoftë se Florentino Perez bën mirë llogaritë financiare, pas sulmit, objektivi madhor dhe afatgjatë i madrilenëve është një mesfushor klasi. Fede Valverde dhe Eduardo Camavinga shihen si e ardhmja e këtij reparti, por ata ende kanë nevojë për eksperiencë.

Ndërkohë në lidhje me Kylian Mbappe, drejtuesit madrilenë janë konfidentë se gjithçka do të finalizohet në fund të sezonit. Francezi po përballet me shumë presion nga PSG për të rinovuar kontratën, dhe Real Madrid nuk dëshiron t’i shtojë presion ekstra duke u bërë pjesë e polemikave në media.

Portali Sportiv është portali më i madh online që ofron artikuj profesionalë ,analiza, lajme sportive etj. Na ndiqni, ne nuk do tju zhgënjejmë.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll