Connect with us

Futboll

Merkato – Vazhdon telenovela Morata, Barcelona dhe Milan kërkojnë Fabian Ruiz

Paulo Dybala

E ardhmja e Paulo Dybala është padyshim mjaft e rëndësishme për strategjinë që Juventus do të ndjekë në sezonin e ardhshëm. Për këtë arsye, bisedimet për një rinovim kontrate mes “Zonjës së Vjetër” dhe argjentinasit pritet të hyjnë tashmë në fazën deçizive.

Drejtuesit e Juventus duan ta mbyllin këtë çështje përpara fundit të muajit, menjëherë pas mbledhjes së bordit e parashikuar në 23 shkurt. Tashmë dihet qartë se synimi i italianëve është të gjejnë një mënyrë për t’i mbushur mendjen Dybala që të rinovojë deri në vitin 2026. Por drejtuesit e klubit nuk kanë ndërmend që të propozojnë një ofertë më të mirë në terma financiare.

Burime të afërta pranë Juventus bëjnë me dije se drejtuesit e klubit po mundohen të shfrytëzojnë ardhjen e Vlahovic dhe Zakaria, për të bindur Dybala që të hedhë firmën në kontratën e re. Prurjet e reja të Juventus janë tregues se klubi ka një projekt afatgjatë në mendje dhe kjo mund të jetë tunduese për argjentinasin, i cili mund të qëndrojë në Torino. Ajo që duhet shmangur me patjetër është largimi i tij me kosto zero nga klubi. Kontrata e argjentinasit skadon në 30 qershor të këtij viti dhe do të ishte një humbje e madhe për Juventus nëse nuk përfitojnë asnjë të ardhur nga largimi i mundshëm i numrit 10. Gjithsesi, marrëdhënia pozitive që futbollisti ka me klubin do të ketë ndikimin e vet që gjërat të mos shkojnë në këtë pikë.

Ndërsa përsa i përket Alvaro Moratës, duket se gjërat kanë ndryshuar. Spanjolli, kartoni i të cilit zotërohet nga Atletico Madrid, nuk është pjesë e planeve të Diego Simeone. Kjo do të thotë se një rikthim në Spanjë ka pak gjasa që të ndodhë. Trajneri Allegri beson fort tek aftësitë dhe talenti i futbollistit dhe Juventus kërkon që Morata të vazhdojë të jetë pjesë e ekipit. Por Arsenali i Mikel Artetës është duke monitoruar sulmuesin dhe mund të hyjë shumë shpejt në lojë me një ofertë zyrtare. Kjo do të thotë se drejtuesit juventinë duhet të tregohen të kujdesshëm.

Nga ana tjetër, rivalët e Milan gjithashtu po punojnë fort për të konsoliduar skuadrën e parë. Rinovimi i Theo Hernandez ishte një lëvizje mjaft e rëndësishme për kuqezinjtë, por ata nuk kanë ndërmend të ndalen këtu. Bennacer pritet të zyrtarizojë rinovimin e tij shumë shpejt. Sipas burimeve afër klubit futbollisti ka firmosur një kontratë të re me klubin, të vlefshme deri në vitin 2026. Ai do të përfitojë 3 milionë euro në sezon plus bonuse. Milan është gjithashtu shumë afër një marrëveshje të re me portugezin Leao.

Ndërkohë në Spanjë, Barcelona është duke parë mundësitë për transferimin e yllit të Napoli, Fabian Ruiz. Momentalisht nuk ka asnjë hap para nga ana e italianëve për t’i ofruar Ruiz një kontratë të re. Mediat në Itali thonë se Napoli do të bëjë një përpjekje, por nëse përgjigja e mesfushorit është negative, për të do të fillojnë bisedimet me klubet e tjera. Përveç Barcelonës, PSG është gjithashtu e interesuar për shërbimet e tij.

Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll