Connect with us

Futboll

Konflikti Rusi – Ukrainë, UEFA zhvendos finalen e Champions League nga St Petersburg

uefa champions league

Pas asaj që duket se është një pushtim i paprecedentë i Ukrainës nga Rusia, UEFA ka vendosur të ndryshojë qytetin ku do të mbahet finalja e Champions League për këtë vit. Ndeshja ishte e parashikuar të luhej në Shën Petersburg në 28 maj, por pas zhvillimeve të fundit dhe presionit nga publiku, organi më i lartë qeverisës i futbollit në Europë vendosi që finalja të luhet në Paris.

Pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme ditën e premte, UEFA konfirmoi se finalja nuk do të luhet në Gazprom Arena, por në Stade de France. Në një deklaratë autoriteti u shpreh:

“I shprehim falenderime dhe mirënjohje presidentit francez Emmanuel Macron për suportin dhe vullnetin e tij që ndeshja më e rëndësishme në futbollin europian të klubeve, të luhet në Francë në këtë kohë krize të jashtëzakonshme.”

Në komunikimin e saj, UEFA shtoi:

“Së bashku me qeverinë franceze, UEFA do të mbështesë plotësisht përpjekjet e shumë palëve për të siguruar sigurinë për futbollistët dhe familjet e tyre në Ukrainë, të cilët përballen me vuajtje të tmerrshme njerëzore, shkatërrime dhe zhvendosje.”

Ky është viti i tretë që finalja e Champions League zhvendoset në një tjetër qytet nga ai i parashikuar në fillim. Në 2020-ën ndeshja ishte parashikuar të luhej në Stamboll, por për shkak të pandemisë dhe masave anti-covid, ajo u luajt në Lisbon. Ndërsa vitin e kaluar, takimi do të luhej përsëri në Turqi, por destinacioni u zhvendos përsëri, kësaj rradhe në Porto.

Në mbledhjen e së premtes, UEFA gjithashtu vendosi që klubet ukrainase dhe ruse të luajnë ndeshjet e “shtëpisë” në një vend jashtë shteteve të tyre përkatëse. Spartak Moscow është i vetmi ekip rus i mbetur në kompeticionet europiane të këtij sezoni. Këta të fundit arritën të kualifikohen në fazën e 1/16 në Europa League, dhe presin tashmë shortin për t’u njohur me kundërshtarin e tyre.

Ndërkohë kombëtarja e Ukrainës dhe ajo e Rusisë do të luajnë të dyja ndeshje playoff-i për Kupën e Botës 2022. Rusia do të presë në Moskë Poloninë në date 24 Mars, ndërsa Ukraina do të udhëtojë drejt Skocisë në të njejtën ditë. FIFA bëri me dije 1 ditë më parë se po monitoron situatën në rajon, për të marrë më pas vendimet e duhura.

Në të njejtën kohë, klube dhe sportistë në mbarë Europën janë solidarizuar me Ukrainën dhe kanë ndërmarrë hapa konkretë për të shkëputur lidhjet me investitorët dhe kompanitë ruse. Manchester United po shikon mundësinë e shkëputjes së marrëdhënies me Aeroflot, kompani ruse që është momentalisht sponsor i “Djajëve të Kuq”.

Skuderia Haas e Formula 1 shkëputi kontratën me një nga sponsorat e saj kryesorë rusë, kompani kjo e zotëruar nga Dmitry Mazepin, një person i afërt me Vladimir Putin.

Mbrojtësi ukrainas i Manchester City, Oleksandr Zinchenko, iu bashkua disa qytetarëve në qendër të qytetit, për të treguar mbështetjen e tij për Ukrainën dhe të gjithë ukrainasit. Lojtari gjithashtu apeloi për paqe me një postim në Instagram, duke thënë se “e gjithë bota e civilizuar është e shqetësuar.”

Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll