Starti i sezonit të ri të Formula 1, me çmimin e madh të Australisë, ndryshe “Australian Grand Prix” në Melbourne, do të zhvillohet në praninë e tifozëve siç ishte parashikuar. Kjo, pavarësisht frikës nga përhapja e të famshmit coronavirus.
Por, në ndryshim nga Australian Grand Prix, çmimi i madh i Bahrain do të zhvillohet pa praninë e tifozëve. Përfaqësues të rëndësishëm të Formula 1 kanë siguruar publikun duke thënë se janë marrë të gjitha masat e nevojshme që fansat të shijojnë eksperiencën e garave, pa u shqetësuar për zhvillimet e fundit:
“Jeta vazhdon dhe ne duhet të ecim përpara. Sigurisht duke marrë masat e nevojshme.”
Brendan Murphy, përgjegjës për sigurinë shëndetësore në qeverinë australiane ka deklaruar:
“Nuk ndihem aspak i frikësuar për të marrë pjesë në organizime të mëdha, apo të eci në rrugët e Victorias. Nuk ka aspak risk në zhvillimin e çmimit të madh të Australisë.”
Ndërkohë çmimi i madh i Bahrain-it do të zhvillohet një javë pas garës së parë të sezonit. Autoritetet vendase kanë ndërmarrë masa mjaft të rrepta për të siguruar zhvillimin normal të garës.
I gjithë personeli i Formula 1, i cili ka udhëtuar apo ka ardhur tranzit nga Kina, Italia, Irani, Iraku, Japonia etj janë të detyruar të pajisen me leje speciale si dhe duhet t’i nënshtrohen kontrolleve të detajuara në aeroport.
Pavarësisht zhgënjimit të fansave për pamundësinë për të qënë prezent në garën e Bahrain-it, siguria mbetet gjithmonë prioriteti kryesor. Kjo ka qënë deklarata e zyrtarëve përgjegjës për organizimin e çmimit të madh.
Deri më tani, përveç çmimit të madh të Shanghait në Kinë, asnjë garë tjetër e Formula 1 nuk është shtyrë në një datë tjetër. Shumë evenimente dhe veprimtari sportive janë ndikuar nga përhapja e coronavirus, por mbetet të shohim se sa do të ndikojë virusi në zhvillimin e mëtejshëm të sezonit të ri të Formula 1.
Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!