Përse Sarri?
Trajneri i Juventus, Mauricio Sarri shihet si një prej idealistëve të futbollit të bukur. Disa vite më parë Napoli i tij merrte komplimentet e Pep Guardiola për lojën e bërë gjatë përballjeve në Champions League. Skuadra e tij nuk arriti të fitonte tituj, por cilesia e futbollit të luajtur ishte në nivelet më të larta në Serie A dhe jo vetëm.
Ndoshta ky do të ketë qenë edhe qëllimi i drejtuesve të Juventus me nënshkrimin e tij, dhënia e një dimensioni më sulmues një skuadre që vitet e fundit është identifikuar me mbrojtjen e hekurt dhe cinizmin në arritjen e rezultateve. Një strategji që ka funksionuar mirë gjatë kësaj dekade me fitimin e titullit të Serie A 8 herë rradhazi. Por me ardhjen e Cristiano Ronaldo dhe me objektivin Champions League ende jo të realizuar, ndoshta ishte koha për një drejtim të ri në lojën e bardhezinjve.
A ka ndryshuar Juventus?
Ndryshimi më i dukshëm në lojën e bardhezinjve është përpjekja për të pasur sa më shumë topin nën kontroll dhe ndërtimi i lojës me shumë pasime, gjë që më parë nuk ka qenë qëllim i lojës së tyre. Kjo është arritur deri diku pasi Juventus ka një mesatare të mbajtes së topit prej 56.6% dhe janë të dytët në Serie A për sa i përket kësaj statistike. Megjithatë qarkullimi i lojës nga Juventus nuk ka qenë plotësisht organik dhe shpeshherë është dukur i sforcuar ku shumica e pasimeve janë horizontale dhe skuadra nuk ka shfaqur lojën sulmuese që pritej.
Sarri ka këmbëngulur për skemën 4-3-1-2 me vetëm 2 prej Ronaldo, Higuain dhe Dybala në fushën e lojës. Por ndeshja me Udinese, ku këta futbollistë luajtën të tre në sulmin e skuadrës, ishte më e mira këtë sezon për sa i përket lojës dhe ndoshta mund ta shtyjë teknikun italian ti rimendojë zgjedhjet e tij.
Tredhëmbëshi i sulmit Ronaldo-Higuain-Dybala
Këtë sezon Dybala, Higuain dhe Ronaldo kanë luajtur të tre vetëm 178 minuta përgjatë 6 ndeshjeve dhe rezultati ka qenë 7 gola të shënuar prej tyre. Ronaldo ka shënuar 4, Dybala 2 dhe Higuain 1. Nëse bëjmë një mesatare të minutave që i duhet njërit prej tyre për të shënuar kur luajnë së bashku atëherë rezultati është i jashtëzakonshëm, 1 gol cdo 25.4 minuta.
A duhet të guxojë më shumë Sarri?
Askush nuk mund të pretendojë se mund të dijë më shumë rreth skuadrës se trajneri i saj. I pyetur për këtë cështje, Sarri ka paraqitur argumentin se skuadrës i duhet balancë dhe ekuilibër, të cilat humbasin disi kur të tre sulmuesit e mësipërm janë në fushë.
Ky argument është padyshim i vlefshëm. Megjithatë nëse Sarri do të arrinte të gjente formulën e duhur në formacionin e tij, ku skuadra të arrinte të performonte si duhej në fazën mbrojtëse edhe me një përfshirje të minimizuar të tre sulmuesve, ndoshta Juventus do të kalonte në një nivel tjetër.
Shifrat e mësipërme nuk janë rastësi. Ronaldo-Higuain-Dybala ka potencialin për tu shndërruar në një prej sulmeve më të frikshme në Europë dhe mund ta bëjnë Juventus të aftë për të fituar gjithcka.
Gjithesi mbetet në dorën e Sarri për të vendosur se cila është zgjidhja më e mirë për skuadrën e tij, por nëse ata vazhdojnë të performojnë në këtë mënyrë kur luajnë së bashku, do të jetë e vështirë për trajnerin të lërë jashtë formacionit njërin prej tyre. Ndoshta për të realizuar objektivin Champions League do të jetë e nevojshme të guxohet më shumë se zakonisht për të arritur suksesin.
Pingback: Cristiano Ronaldo mund ta mbyllë karrierën tek Juventus - Portali Sportiv
Pingback: Ronaldo sfidon ligjet e gravitetit - Portali Sportiv