Connect with us

Futboll

Kampionati Anglez – Liverpool, Leicester dhe…Mourinho

kampionati anglez

Kampionati anglez ka luajtur tashmë më shumë se 30% të ndeshjeve të sezonit 19/20. Kto muaj të parë kanë qenë të karakterizuar nga surpriza, zhgënjime, trajnerë nën presion, por mbi të gjitha nga dominimi i Liverpool.

Pas 13 ndeshjesh të luajtura, djemtë e Jurgen Klopp kanë arritur të grumbullojnë 37 nga 39 pikë të mundshme duke barazuar kështu rekordin për startin më të mirë të sezonit tek kampionati anglez. Skuadra tjetër që ka arritur të njëjtat shifra ka qenë Manchester City i Pep Guardiola në sezonin 17/18. Krahasimisht performance e skuadrave në sezonet përkatëse mund ti shihni në vijim.

kampionati anglez

Pavarësisht se Manchester City pritet të jetë rivali kryesor i Liverpool për titullin, momentalisht ata renditen në vendin e 3-të në kuotën e 28 pikëve, pra 12 pikë më pak se kryesuesit që është një distancë e konsiderueshme dhe e vështirë për tu përmbysur.

Skuadra më afër Liverpool në renditje është surpriza e këtij sezoni, Leicester. Forma e tyre do tu kishte dhënë fansave shpresa të mëdha për përsëritjen e sezonit 2015/16 ku arritën të fitonin kampionatin anglez, por ecuria fantastike e Liverpool bën që ata të qëndrojnë me këmbë në tokë dhe momentaisht të renditen të dytët me 29 pikë.

Para fillimit të këtij sezoni, Liverpool dhe Manchester City priteshin të ishin skudrat dominante ndërsa dyshime të mëdha ekzistonin mbi performancën që do të bënin klubet e tjera të mëdha. Chelsea është skuadra që ka arritur të impresionojë me paraqitjet e deritanishme duke arritur vendin e 4-t pavarësisht se humbën Eden Hazard dhe nuk mundën të kryenin transferime për shkak të dënimit të FIFA.

Arsenal dhe Manchester United ndodhen përkatësisht në vendin e 8 dhe 9, pozita të papërshtatshme për statusin e tyre, megjithatë paraqitjet e tyre nuk kanë merituar më shumë. Londinezët kanë probleme serioze në fazën mbrojtëse ku kanë pësuar 225 goditje në drejtim të portës në 13 ndeshje, mesatarisht 17.3 për ndeshje, një rekord negativ për ta tek kampionati anglez. Ndërsa Manchester United ende nuk po gjen një identitet loje dhe grintën që i karakterizonte dikur, cilësi që mungojnë tek ta që prej largimit të Sir Alex Ferguson.

Situatat e të dyja skuadrave  kanë ushtruar presion të madh mbi trajnerët respektivë. Emery dhe Solskjaer do të kërkojnë ta përmbysin sa më shpejt situatën negative, por momentalisht arritja e zonës Champions duket shumë e vështirë dhe në mungesë të saj e ardhmja e tyre duket në dyshim.

Po nëse Emery dhe Solskjaer po vazhdojnë punën në stol, Mauricio Pochetino nuk ka patur të njëjtin fat. Ecuria negative e Tottenham, por mbi të gjitha rënia e besimit të skuadrës pas humbjes së finales së Champions League bën që ai të shkarkohej nga roli i trajnerët gjatë javës së shkuar.

Zëvendësuesi i tij nuk vonoi të zyrtarizohej dhe ai rezultoi të jetë Jose Mourinho, një lajm që befasoi cdo futbolldashës të kampionatit anglez dhe ekzaltoi ata të Tottenham. Nën drejtimin e portugezit, Spurs kanë arritur të fitojnë të dyja ndeshjet e luajtura, megjithatë  do tu nevojitet shumë punë për të arritur objektivin për të arritur zonën Champions.

Emocionet e 13 javëve të para të kamponatit anglez duket se do të vijnë duke u shtuar në vazhdim. Disa prej trajnerëve më të mirë në botë do të përplasen më njëri-tjetrin duke tentuar të arrijnë objektivat e tyre, po cilët do ti arrijnë dhe cilët jo mbetet për tu parë në fushën e lojës.

Lajdan është një nga kontribuesit kryesorë të "Portali Sportiv", me një pasion për gazetarinë sportive ai ka treguar gjithmonë një nivel të lartë profesional në përcjelljen e lajmit tek audienca jonë!

2 Comments

2 Comments

  1. Pingback: Jamie Vardy dhe Leicester risjellin kujtime të vjetra… - Portali Sportiv

  2. Pingback: Formacioni më i mirë i dekadës në Premier League - Portali Sportiv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll