“Europa League” është rikthyer këtë të enjte me 16 sfida plot gola dhe emocione. Mes të tjerash spikatën përballjet mes Club Brugge dhe Manchester United si dhe Ludogorets Razgrad-Inter.
“Djajtë e Kuq” të drejtuar nga Ole Solskjaer nuk mundën të shkonin më shumë se barazimi 1-1 në një transfertë mjaf të vështirë ndaj Club Brugge. United nuk e nisi me ritmin e duhur pjesën e parë, duke i lënë kështu mundësinë miqëve për të kaluar të parët në avantazh.
Emmanuel Dennis shënoi në minutën e 15’ për Brugge, duke kaluar topin me një parabël sipër trupit të portierit Sergio Romero. Barazimi për Manchester United do të vinte në minutën e 36’ kur Anthony Martial në një duel shpejtësie arriti të mposhtë ish-portierin e Liverpool, Simon Mignolet.
Pjesa e dytë nuk pati shumë histori, me disa raste sporadike për shënim nga të dyja ekipet por asgjë konkrete. Mbyllet kështu në shifrat 1-1 akti i parë i përballjes Brugge-Manchester United. Skuadrat do të takohen përsëri, kësaj rradhe në Old Trafford në 27 shkurt.
Për sa i përket përballjes Ludogorets Razgrad-Inter, italianët bënë detyrën përballë një kundërshtari relativisht modest. Në një ndeshje te dominuar nga djemtë e Contes, avantazhi erdhi vetëm në pjesën e dytë.
Ishte Christian Eriksen ai që në minutën e 71’ shënoi për Inter duke kaluar në avantazh “zikaltërit”. Ky ishte goli i parë i mesfushorit danez me fanellën historike italiane. Gjatë gjithë takimit, të besuarit e Contes nuk i lanë asnjë shans të vetëm për shënim kundërshtarëve.
Për të siguruar fitoren mendoi Romelu Lukaku. Në minutën e 90’ sulmuesi belg, me një penallti të shndëruar në gol vulosi shifrat 2-0 në favor të Inter.
Djemtë e Contes shkojnë në ndeshjen e rradhës me një avantazh të madh, dy gola të shënuar në fushë kundërshtare.
Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!