
Real Madrid rikthehet tek fitoja e trofeve! Padyshim Superkupa e Spanjës nuk mund të quhet një kompeticion madhor, por gjithsesi të fitosh është përherë e rëndësishme, pavarësisht kompeticionit.
Pasi fitoi bindshëm ndaj Valencia në gjysëmfinale, skuadrës së Zidane iu desh të vuante shumë më tepër ndaj rivalëve të Atletico Madrid. U deshën 120 minuta lojë dhe goditja e penalltive që Los Blancos të arrinin suksesin në këtë ndeshje të vështirë.
Skuadrat e nisën ndeshjen në një mënyrë shumë të kujdesshme dhe duke u vendosur mië në fushë. Duke pasur parasysh përballjen e fundit në kampionat mes tyre, nuk ishte surprizë që edhe kjo finale do të ishte mjaft e mbyllur dhe aspekti taktik do të luante rol madhor.
Gjatë pjesës së parë Real Madrid u përpoq të dominonte mbajtjen e topit, por e pati të vështirë të krijonte raste. Nga ana tjetër Joao Felix pati një mundësi mjaft të mirë pas një gabimi të Ramos, por goditja e tij përfundoi jashtë kuadratit të Courtois.
Edhe në pjesën e dytë skuadrat luajtën me kujdes, megjithatë arritën të krijonin disa situata të rrezikshme, por portierët respektivë arritën ti mbanin portat të paprekura.
Me kalimin e minutave trajnerët do të kryenin zëvendësimet përkatëse, por pa arritur të ndikonin në rezultatin e ndeshjes. Koha e rregullt u mbyll 0-0, rezultat që vazhdoi edhe gjatë kohës shtesë.
Momenti më dramatik i ndeshjes do të vinte pak minuta përpara përfudimit të kohës shtesë. Morata ishte i vetëm përballë Courtois, por Valverde kreu një faull taktik në hyrje të zonës. Ky veprim solli largimin e tij nga fusha me karton të kuq, por me shumë mundësi shmangu pësimin e një goli që me të gjitha gjasat do ti sillte humbjen Real Madrid.
Pas përfundimit të minutave të mbetura, ishte rradha e penalltive. Futbollistët e Atletico Madrid u treguan të pasaktë në dy goditjet e para, një prej të cilave u prit nga Courtois.
Los Blancos u treguan cdo herë të saktë nga pika e bardhe, dhe në fund do të ishte kapiteni Sergio Ramos që me penalltinë e tij do të vuloste fitoren e Real Madrid.
Superkupa e Spanjës ishte finalja e 9 e fituar nga Zidane si trajner i madrilenëve nga 9 të luajtura gjithsej.
Trajneri francez do të shpresojë që skuadra e tij do ta përdorë fitoren e këtij trofeu si një arsye motivimi dhe besimi, cilësi që do tu nevojiten për pjesën e mbetur të sezonit.
Lajdan është një nga kontribuesit kryesorë të "Portali Sportiv", me një pasion për gazetarinë sportive ai ka treguar gjithmonë një nivel të lartë profesional në përcjelljen e lajmit tek audienca jonë!
