Connect with us

Futboll

Interi i Conte, rikthimi i zikaltërve në krye të Serie A

conte

Të shohësh rivalin historik të dominojë për vite më rradhë nuk është asnjëherë e lehtë për fansat e një klubi. Për fatin e tyre të keq ky ka qenë rasti për tifozët e Inter.

 Tripleta e vitit 2010 me Jose Mourinho ishte pika më e lartë historike e një prej klubeve më të mëdhenj të Serie A, por vitet në vijim i panë ata të rrëshkisnin nga statusi i tyre si pretendentë në një skuadër që lufton për zonën Champions, shpeshherë pa ja arritur. Ndërkohë Juventus festoi sezonin e shkuar titullin e 8-të rradhazi duke shenjuar qartazi epërsinë e tyre në dekadën e fundit të futbollit italian.

Ai që e nisi këtë periudhë fantastike tek bardhezinjtë sot ulet në stolin zikaltër dhe i ka shndërruar këta të fundit në një prej rivalëve më të vështirë që Torinezët kanë pasur vitet e fundit në luftën për titullin. Entuziazmi mes fansave të Inter është në nivele të larta dhe kjo jo vetëm për pozicionin në krye të renditjes, por edhe për mënyrën sesi skuadra ka luajtur deri tani këtë sezon.

Por si e arriti Conte këtë ripërtëritje të Inter?

Transferime inteligjente

Merkato e vërës së shkuar tregoi qartë ambiciet e Inter për këtë sezon të parë nën drejtimin e Conte. Edhe pse disa futbollistë si Sanchez dhe Lazaro ende nuk kanë shfaqur atë që pritej, të tjerë kanë impresionuar dhe kanë krijuar boshtin e nevojshëm rreth të cilit ndërtohet loja e skuadrës.

Në repartin defensiv një prej mbrojtësave më të mirë të viteve të fundit, Diego Godin iu bashkua dyshes Skriniar-De Vrij. Një miksim mes talentit dhe eksperiencës në mbrojtjen me tre, padyshim karakteristikë e cdo ekipi të Conte.

Brozovic ka treguar një rritje masive në lojën e tij dhe një faktor për të është edhe afrimi i dy prej talenteve më të mirë të mesfushës në Serie A, Barrella dhe Sensi.

Lukaku ishte afrimi më i madh dhe deri tani ka bërë një punë mjaft të mirë në sulmin e Inter. Partneriteti me Lautaro Martinez ka rezultuar shumë produktiv për zikaltrit, me dy sulmuesit që kanë shënuar 18 nga 31 golat e skuadrës në Serie A.

Motivim dhe grintë

Një prej gjërave të sigurta që Inter do të përfitonte me nënshkrimin e Conte ishte karakteri me të cilat skuadrat e tij paraqiten në fushën e lojës. Disiplina, impenjimi maksimal dhe puna e palodhur janë kërkesa jo opsionale për trajnerin italian. Lojtarët e Inter duket se e kanë pasur të qartë dhe kanë bërë të tyren këtë metodë pune dhe si rrjedhim rezultatet kanë ardhur.

Besim tek idetë taktike

Juventus, Italia e Euro 2016 dhe Chelsea kanë pasur karakteristika të njëjta nën drejtimin e Conte dhe italiani u ka qëndruar besnik të njëjtave ide edhe tek Inter. Tre qendërmbrojtësa, lojtarë krahu dinamikë në të dy fazat e lojës, mesfushë që imponon ritmin e skuadrës dhe sulmues të gatshëm të sakrifikojnë. Nëse funksionon pse duhet ta ndryshosh?

Pretendentë për titullin e Serie A?

Shpesh kemi parë Inter të nisë sezonin me një formë të mirë duke arritur dhe të kryesojë, por nga Janari skuadra pëson rënie dhe rrjedhimisht renditja dhe objektivat ndryshojnë. Ndoshta kjo do të jetë sfida kryesore e Conte këtë sezon, krijimi i vazhdueshmërisë së rezultateve përgjatë sezonit dhe fitimi i ndeshjeve edhe kur skuadra nuk është në maksimumin e saj. 

Deri tani zikaltrit kanë qenë një rival i denjë për Juventus. Cilësia ndoshta është ende në anën e “Zonjës së Vjetër”, por nëse Interi i Conte vazhdon me këtë ritëm, numri i Seria A të fituara rrahdazi nga bardhezinjtë mund të ndalet në 8.

Lajdan është një nga kontribuesit kryesorë të "Portali Sportiv", me një pasion për gazetarinë sportive ai ka treguar gjithmonë një nivel të lartë profesional në përcjelljen e lajmit tek audienca jonë!

1 Comment

1 Comment

  1. Pingback: Ronaldo sfidon ligjet e gravitetit - Portali Sportiv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll