
Manchester City është dënuar nga UEFA për shkelje të Fairplay-it financiar dhe nuk mundet të marrë pjesë në kompeticionet europiane në dy sezonet e ardhshme. Gjithashtu ky dënim u shoqërua edhe me një gjobë prej 30 milionë Eurosh.
Klubi ka deklaruar se do ta apelojë këtë vendim në CAS (gjykata e arbitrazhit sportiv), por deri sa kjo të ndodhë, dënimi i UEFA mbetet në fuqi.
Ky ishte një lajm tronditës për klubin dhe fansat e Manchester City, një ngjarje që mund të sjellë pasoja serioze për të ardhmen e klubit. Një prej pikëpyetjeve të mëdha mbetet edhe e ardhmja e trajnerit Pep Guardiola. Nëse CAS nuk e rrëzon vendimin e UEFA dhe Manchester City përjashtohet nga Champions League në dy sezonet e ardhshme, cili do të jetë vendimi i trajnerit spanjoll?
Vetë Guardiola ka deklaruar vazhdimisht se do të qëndrojë tek Manchester City të paktën deri në fund të kontratës aktuale që skadon në 2021. Megjithatë ky zhvillim i ri mund ta bëjë thuajse të pamundur qëndrimin e tij. Në fund të fundit duket e padrejtë që një trajner i nivelit të Guardiola të qëndrojë dy sezone jashtë kompeticionit më të rëndësishëm për klube.
Nëse vendos të largohet, opsionet nuk mungojnë. Barcelona do ta priste krahëhapur rikthimin e tij, për ta udhëhequr klubin drejt suksesit ashtu si bëri herën e shkuar.
Juventus është një tjetër alternativë e përfolur. Sarri nuk po nxerr ende më të mirën nga skuadra e tij dhe nëse dështon në Champions League, drejtuesit e Juventus padyshim do ta vlerësonin alternativën Guardiola.
Sidoqoftë është ende herët dhe me të gjitha gjasat, trajneri do të marrë vendimin për të ardhmen e tij pasi klubi të marrë vendimin e apelit nga CAS. Momentalisht Guardiola do të bëjë maksimumin për ta mbajtur vëmendjen e lojtarëve të tij tek futbolli i luajtur.
Manchester City do të rikthehet të luajë në Champions League përballë Real Madrid dhe suksesi në këtë kompeticion është objektivi i vetëm madhor i këtij sezoni, pasi në Premier League, Liverpool është thuajse i pakapshëm.
Lajdan është një nga kontribuesit kryesorë të "Portali Sportiv", me një pasion për gazetarinë sportive ai ka treguar gjithmonë një nivel të lartë profesional në përcjelljen e lajmit tek audienca jonë!

Pingback: Dënimi nga UEFA: Guardiola nuk dëshiron të largohet nga Man.City - Portali Sportiv