Kryesuesit e Ligue 1, Paris St-Germain, barazuan sot në shifrat 4-4 në një ndeshje të çmendur kundër Amiens në transfertë. Barazimi sigurisht që nuk i shkon për shtat kampionëve të Francës, sidomos kur vjen përballë një skuadre që ndodhet në zonën e rënies nga kategoria.
Por, PSG duhet të ndihet me fat, pasi kësaj rradhe deri në minutën e 45’ të pjesës së parë, djemtë e Thomas Tuchel gjendeshin në disavantazhin shokues 0-3.
Ishte Serhou Guirassy i Amiens i cili zhbllokoi shifrat e lojës që në minutën e 5’. Më pas skuadra modeste dyfishoi rezultatin në minutën e 29’ me Gael Kakuta. Ajo çfarë po dukej deri në atë pikë si një surprizë, u kthye në një festival golash për të zotët e shtëpisë, kur Fousseni Diabate shënoi golin e tretë për Amiens.
Gjithsesi do të ishte PSG ajo që do të thoshte fjalën e fundit. Përpara mbylljes së pjesës së parë, Ander Herrera shkurtoi diferencat për miqtë me një gol të bukur. Pjesa e parë u mbyll kështu në shifrat 3-1 në favor të Amiens.
Pavarësisht mungesave të Neymar dhe Kylian Mbappe, PSG ia doli të rrëmbente barazimin. Heroi për parizienët ishte Nianzou Kouassi, i cili shënoi dy herë brenda 5 minutave, në të 60’ dhe 65’, duke vendosur ekuilibrin në fushën e blertë. Për tu përmendur është fakti se Kouassi është vetëm 17 vjeç dhe kjo ishte hera e parë që ai gjeti rrugën e rrjetës në Ligue 1.
9 minuta më vonë, bomberi Mauro Icardi shënoi për PSG duke kaluar për herë të parë skuadrën e tij në avantazh. Por, mesa duket Amiens ende nuk ishte dorëzuar. Pikërisht në minutën e 90’, në fund të takimit, Sehrou Guirassy barazoi gjithçka duke shpëtuar skuadrën e tij nga humbja. Ndeshja mbyllet në shifrat spektakolare 4-4.
Thomas Tuchel dhe djemtë e tij i kanë tani sytë tek përballja me Borussia Dortmund, e vlefshme për Champions League. Një sfidë kjo që do të kërkojë shumë më shumë përqëndrim nga ana e parizienëve.
Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!