Connect with us

Futboll

Serie A, Lazio mposht Inter dhe konfirmohet si pretendente

Lazio

Gara për titullin e Serie A ka vazhduar edhe këtë fundjavë. Pas fitores së Juventus ndaj Brescia, sytë e të gjithëve ishin nga kryendeshja e kësaj jave, përballja mes Inter dhe Lazio. 

Të dyja skuadrat vinin me të njëjtin qëllim, fitoren, për të mbajtur ritmin e kampionëve në fuqi të Juventus. Ndërkohë që lojtarët zbrisnin në fushë, dukej qartë se morali ishte i lartë tek të dyja skuadrat.

Pjesa e parë u karakterizua nga një lojë e balancuar me të dyja ekipet që patën disa raste shënimi, por zhbllokimi i rezultatit do të vinte vetëm në minutat e fundit.

Candreva bën një goditje në hyrje të zonës e cila largohet nga Strakosha, por topi i kthyer gjen Young në vendin e duhur, në kohën e duhur. Goditja e anglezit është në kuadrat dhe kësaj here portieri shqiptar i Lazio e ka të pamundur ta arrijë. Inter e mbyll kështu pjesën e parë në avantzhin e një goli.

Menjëherë pas pushimit, Lazio duket e vendosur për të reaguar. Në minutën e 50-të gjyqtari akordon një penallti në favor të të kaltërve e cila ekzekutohet saktë nga Immobile. Ky ishte goli i 26 në Serie A për italianin që momentalisht kryeson garën e golashënuesve në kampionat, por edhe atë për Këpucën e Artë Europiane.

Loja vazhdon e shpejtë dhe me ritëm, me të dyja skuadrat që nuk kënaqen me barazimin. Kësaj here është rradha e Lazio për tëkaluar në avantazh. Goli erdhi në minutën e 69-të me autor Milinkovic-Savic. Lazio përmbys rezultatin dhe Stadio Olimpico është në delir.

Konte përpiqet të ndryshojë gjërat në fushë duke kryer 3 zëvendësime në vazhdim. Candreva, Brozovic dhe Godin ja lanë vendin respektivisht Moses, Eriksen dhe Sanchez.

Rastin më të mirë për të barazuar e pati Lukaku, por goditja e sulmuesit brenda zonës arriti të bllokohej nga mbrojtësit e Lazio. Rezultati nuk ndryshoi as në minutat e mbetura. 

Lazio përmbysi disavantazhin dhe arriti të fitojë takimin me rezultatin 2-1. Këto 3 pikë i cojnë kryeqytetasit në vend të dytë, vetëm një pikë pas kryesuesve të Juventus, ndërsa Inter zbret në vend të tretë 3 pikë larg kreut.

Pak mund ta mendonin në fillim të sezonit se në këtë pikë Lazio do të ishte kaq pranë kreut të Serie A. Skuadra e Simone Inzaghi e ka merituar plotësisht suksesin e deritanishëm pasi ecuria e tyre ka qenë e jashtëzakonshme.

Me fitoren ndaj Inter, Lazio arrin në shifrën e 19 ndeshjeve rradhazi pa humje në Serie A. Tashmë ata janë padyshim një prej pretendentëve në garën për titullin kampion.

Lajdan është një nga kontribuesit kryesorë të "Portali Sportiv", me një pasion për gazetarinë sportive ai ka treguar gjithmonë një nivel të lartë profesional në përcjelljen e lajmit tek audienca jonë!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll