Connect with us

Futboll

Vlahovic drejt Juventus – “Zonja e Vjetër” pranon kërkesën e Fiorentinës

Dusan Vlahovic

Prestigjozja GOAL ka konfirmuar së fundmi se Juventus ka pranuar shifrën prej 75 milionë eurosh të kërkuar nga Fiorentina, për shërbimet e bomberit serb Dusan Vlahovic. 21 vjeçari është emri më i lakuar përsa i përket sulmuesëve këtë merkato janari, dhe Arsenal është gjithashtu i interesuar në shërbimet e tij.

Vlahovic ka shënuar 17 gola në Serie A këtë sezon dhe shumë klube të tjera europiane kanë shprehur admirimin e tyre për sulmuesin. Por cilat janë detajet e marrëveshjes Juve – Fiorentina?

Lojtari ka qënë i prerë në qëndrimin e tij për të mos rinovuar me klubin aktual, por Juventus deri para disa ditësh, nuk mendohej se do të bënte një lëvizje në janar. Por frika se Vlahovic mund të rrëmbehej nga një ekip tjetër në verë, ka bërë që juventinët të hidhen në aksion.

Sulmuesi pritet të pranojë një page vjetore prej rreth 7 milionë eurosh në vit. Drejtori sportiv i Fiorentinës, Daniele Prade, ishte shprehur më parë se do të duheshin 70 milionë euro për të siguruar kartonin e Vlahovic, por ekipi i Allegri ofroi 5 milionë euro më shumë për kartonin e tij. Përpara lajmit për ofertën e Juventus, Prade tha:

“Ai (Vlahovic) ka një vlerë të madhe, mbi 70 milionë euro, dhe nuk bëhet fjalë për shkëmbime me lojtarë të tjerë apo pagesa të shpërndara në vite. Kemi marrë disa oferta të mira por ende asnjë përgjigje nga përfaqësuesit e tij. Dyert tona janë të hapura. E them këtë sepse duam të kuptojmë se çfarë do ai dhe agjenti i tij. Ne jemi gjithashtu të hapur për të diskutuar një rinovim kontrate.”

Prade shtoi:

“Ne jemi një klub me të ardhura vjetore prej 75 milionë eurosh. Për këtë arsye nuk mund ta humbasim Vlahovic me kosto zero.” 

Por çfarë ndodhi me interesimin e Arsenal? Për një moment, ekipi i Mikel Arteta u duk se ishte më pranë nënshkrimit me Vlahovic. “Topçinjtë” po përgatiten për të hequr dorë përfundimisht nga Pierre-Emerick Aubameyang, por për ta bërë këtë gjë realitet, fillimisht duhet një zëvëndësues i të njejtit kalibër. Londinezët nuk e konsiderojnë më Vlahovic si një alternativë, pas lajmeve se në rastin e një transferimi në Angli, serbi do të preferonte Manchester Cityn.

Gjithsesi, duket se sulmuesi do të qëndrojë përfundimisht në Itali, atje ku luan që prej vitit 2018. Një faktor i rëndësishëm që ka shtyrë para drejtuesit e Juventus, në operacionin për transferimin e Vlahovic, është dhe dëmtimi i Federico Chiesa. Sulmuesi ka marrë një dëmtim të rëndë në gjur, i cili do ta lërë jashtë fushave të blerta për pjesën e mbetur të sezonit. Në të njejtën kohë, Morata po linkohet vazhdimisht për një lëvizje të mundshme drejt Barcelonës. Burime pranë tij bëjnë me dije se spanjollit i pëlqen një ide e tillë. 

Ndërkohë Fiorentina do të duhet të përballet së shpejti me humbjen e golashënuesit më të mirë të Serie A, deri në këtë pikë të sezonit. Por drejtuesit e ekipit po përgatisin një “short-list” me emra potencialë për të zëvëndësuar serbin kur ai të largohet.

Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll