Connect with us

Futboll

Operacioni “Haaland” – Ja plani i Barcelonës për të sjellë në Camp Nou bomberin

Haaland

Drejtuesit e Barcelonës janë duke studiuar skenarët e ndryshëm, se si mund të mposhtin Manchester City, Chelsea dhe Real Madrid, në garën për shërbimet e Erling Haaland. Sulmuesi sipas të gjitha gjasave nuk do të largohet nga gjermanët këtë merkato janari, por në verë rruga është e hapur.

Sipas raportimeve të ndryshme, klauzola që klubet duhet të paguajnë, për prishjen e kontratës së Haaland është 75 milionë euro. Në media thuhet se skuadra e Xavit dëshiron të mbledhë 100 milion € (ose 83 milionë paundë) për të mbuluar jo vetëm klauzolën e lirimit, por edhe kontratën e re me spanjollët dhe tarifat e agjentëve.

Por duke marrë parasysh borxhin e tyre të konsiderueshëm, katalanasit duhet të jenë të kujdesshëm me lëvizjet e tyre financiare. Sipas raportimeve në Spanjë, Barcelona mund të shesë 49 për qind të aksioneve në kompaninë e tyre “Barca Studios”. Kjo do t’u jepte atyre një ndihmë të madhe financiare dhe madje mund të mbulojë pjesën më të madhe të shpenzimeve për Haaland.

Gjigantët spanjollë gjithashtu mund të bien dakord për kontrata të reja, më fitimprurëse, me sponsorët që lojtarët kanë të stampuar në fanellat e tyre. Një pagesë në avancë për këto marrëveshje gjithashtu do të sillte një përfitim të madh ekonomik.

Nga ana tjetër kuptohet se Dortmund kërkon të shmangë largimin e lojtarit të tyre më të vlefshëm, duke i ofruar atij një kontratë të re. Por Haaland u shfaq i frustruar në intervistën e tij më të fundit, ku foli për presionin që po i bëhet nga klubi për të vendosur mbi të ardhmen. Për Sky Sports futbollisti u shpreh:

“Në 6 muajt e fundit kam vendosur të mos shprehem për shkak të respektit që kam për Dortmund. Por tani klubi ka filluar të më bëjë presion që të vendos mbi të ardhmen. Kjo do të thotë se duhet të marr një vendim së shpejti. E kam thënë që në fillim, e vetmja gjë që dua të bëj është të luaj futboll. Kur e bëj këtë jam në formën time më të mirë, dhe jo kur kam gjëra të tjera në mendje.”

Haaland shtoi:

“Ata (klubi) kanë filluar presionin prej kohësh. Kështu që është koha të sqarojmë gjërat. Dua vetëm të luaj futboll, por këtë nuk mund ta bëj dot tani.”

Teksa Barcelona po përgatit planin e saj për afrimin e Haaland, rivalët e tjerë europianë gjithashtu po shqyrtojnë situatën. Chelsea i Thomas Tuchel mund të futet shumë shpejt në garë, pasi sulmuesi i tyre kryesor Romelu Lukaku, ende nuk ka shfaqur formën e tij më të mirë. Ndërkohë trajneri i bluve ka thënë disa herë se për të nuk përbën problem fakti se mund të ketë 2 sulmues kryesorë krah njëri-tjetrit, në vijën ofensive.

Manchester City ndërkohë ende nuk ka gjetur zëvëndësuesin ideal të Sergio Aguero, dhe Haaland duket zgjedhja më e natyrshme. Babai i futbollistit gjithashtu ka lidhje me klubin, dhe kjo mund të ndikojë në vendimmarrjen e norvegjezit.

Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll