Connect with us

Futboll

E bujshme – Balotelli rikthehet në kombëtaren italiane

Mario Balotelli

Mario Balotelli nuk ka luajtur për kombëtaren italiane që prej vitit 2018, por duket se tashmë “Super Mario” do të veshë dhe një herë fanellën e Azurëve, pasi trajneri Mancini ka thirrur sulmuesin përsëri në ekip. Lajmi u konfirmua të hënën, dhe ka ngjallur shumë polemika mes tifozëve, por sipas të gjitha gjasave dhe mes lojtarëve të tjerë.

Por përse ky rikthim? Megjithëse Italia ia doli të fitonte Europianin vitin e kaluar, ekipit i mungonte një qendër-sulmues tipik. Ciro Immobile ia doli të shënojë 2 herë dhe aftësitë e tij në sulm janë të padiskutueshme, por asi i Lazios nuk ia ka dalë asnjëherë të ketë imapktin që emra si Robert Lewandowski apo Karim Benzema, kanë në kombëtaret e tyre. Immobile ka shënuar vetëm 15 herë në 54 paraqitje me Italinë. Balotelli ndërkohë ka shënuar 14 herë në 36 paraqitje, dhe kjo është arsyeja se përse Mancini ka vendosur t’i japë një shans.

Sulmuesi ka gjetur stabilitet në Turqi, tek skuadra e Adana Demirspor nën drejtimin e Vincenzo Montellas. Transferimi erdhi pas aventurave te Brescia, dhe për një kohë të shkurtër dhe tek Monza në Serie B. Rikthimi në kombëtaren italiane, mund të shërbejë si një nxitës i fortë që Mario, të luajë vitet e fundit të karrierës së tij, në nivelet më të larta të futbollit europian.

Trajneri Mancini shpesh herë ka luajtur rolin e “babait” për Balotellin. Megjithatë, në një intervistë të dy viteve më para për Gazzetta dello Sport, tekniku u shpreh se nuk mund ta ndihmojë më futbollistin për të korrigjuar sjelljen e tij:

“E dua Balotellin por nuk mund të bëj më asgjë për të.”

Rikthimi i sulmuesit është mjaft delikat për ekuilibrat në skuadrën italiane, dhe Mancini e di këtë gjë. Para më pak se 2 vitesh, kapiteni i kombëtares Giorgio Chiellini, e cilësoi Balotellin si një person negativ që nuk ka respekt për skuadrën. Mbrojtësi shkoi dhe më tej, duke thënë se Mario meriton “disa shuplaka” për mënyrën sesi sillet në kombëtare. Sulmuesi u lëndua nga deklaratat e sinqerta, por dyshja bëri paqe në show-n televiziv Le lene, ku diskutuan mosmarrëveshjen e tyre. Gjithsesi, zërat pranë përfaqësueses mbeten skeptikë për rikthimin e Marios. 

Trajneri i Adana Demirspor, Montella, është i bindur jo vetëm tek aftësitë e lojtarit, por dhe tek fakti se Balotelli ka ndryshuar dhe është mësuar tashmë me mjedisin e klubit. Ekipi ndodhet në vendin e katërt në kampionatin turk, dhe duhet thënë se Mario ka luajtur rolin e tij në këtë progres. Ai ka shënuar 8 gola në 20 paraqitje, prej të cilave ka startuar si titullar në vetëm 15.

Montella ka marrë më të mirën e sulmuesit, duke shfrytëzuar dëshirën e tij për të veshur fanellën e Italisë dhe një herë, gjë që duket se do bëhet realitet. Kjo dhe për shkak të dëmtimit të Federico Chiesa, i cili do të jetë jashtë fushave të blerta deri në fund të sezonit. Shumë analistë ende argumentojnë se Balotelli nuk e meritonte shansin që Mancini i dha, por tani mbetet të shohim përgjigjen e futbollistit në fushë.

Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll