Connect with us

Futboll

Merkato – Vlahovic kërkon Cityn, por Guardiola preferon Julian Alvarez

Dusan Vlahovic

Pavarësisht një oferte konkrete nga ana e Arsenal, sulmuesi serb i Fiorentinës, Dusan Vlahovic, po pret një interesim të mundshëm nga Manchester City. Megjithëse “topçinjtë” i kanë ofruar 50 milionë paundë + kartonin e Lucas Torreira italianëve, deri më tani nuk kanë marrë një përgjigje nga përfaqësuesit e Vlahovic.

Sipas La Repubblica, lojtari nuk do të hedhë një hap të nxituar në karrierën e tij, dhe City është në krye të listës së tij të preferencave. Por situata komplikohet më shumë kur merret parasysh fakti se “qytetarët” janë duke shqyrtuar dhe alternativa të tjera. Mes tyre është bomberi i Dortmund, Erling Haaland, si dhe talenti i River Plate, Julian Alvarez.

Ky i fundit thuhet se është shumë pranë ekipit të Pep Guardiolës dhe drejtuesit e klubit kanë pranuar shumën prej 16 milionë paundësh që River Plate kërkon për kartonin e tij. Sulmuesi argjentinas ka qënë prej kohësh në radarin e anglezëve, por Real Madrid, Barcelona dhe Bayern Munich gjithashtu ishin në ndjekje të tij. Alvaez ishte golashënuesi më i mirë në kampionatin argjentinas, vitin e kaluar, me plot 20 gola në 35 ndeshje. Përfaqësuesit e City kanë zhvilluar bisedime me agjentin e futbollistit, dhe të dyja palët janë konfidente se mund të arrihet një marrëveshje përpara mbylljes së merkatos së janarit.

Nëse ky skenar realizohet, dhe Alvarez zhvillon paraqitje të mira në Etihad, drejtuesit e klubit mund të heqin dorë nga një ofertë potenciale për Vlahovic. Kjo mund t’i prishë punë lojtarit i cili ndërkohë ka kapur interesin e shumë klubeve të tjera. Mes tyre është dhe Juventus.

“Zonja e Vjetër” ka vendosur të presë deri në verë, por mediat në Itali bëjnë me dije se drejtuesit e Juventus, kanë bërë një ofertë zyrtare prej 70 milionë eurosh për shërbimet e serbit. Burime pranë lojtarit bëjnë me dije se sulmuesit gjithashtu i pëlqen Juventus, pasi në Torino do t’i ofrohet një kontratë shumë më e mirë se ajo aktuale me Fiorentinën.

Drejtori i klubit italian, Joe Barone, komentoi së fundmi mbi situatën e Vlahovic. Ai u shfaq i frustruar mbi faktin që Dusan ende nuk ka shprehur qartë dëshirat e tij mbi të ardhmen. Duke qënë se futbollisti ka vetëm 1 vit kontratë të mbetur me klubin, shqetësimi më i madh i Fiorentinës është ta humbasë atë me kosto zero.

“Kemi pasur kontakt me disa klube angleze, por ende nuk kemi një marrëveshje. Jemi të hapur për një të tillë, por ajo nuk mund të arrihet nëse Vlahovic nuk është dakord.” 

Barone nënvizoi dhe një herë faktin se deri më tani, nuk ka marrë një përgjigje të saktë nga agjentët e sulmuesit serb, mbi destinacionin ku ai do të luajë në të ardhmen. Ai shtoi:

“Nuk kam dëgjuar asgjë prej tyre. I kam kërkuar agjentit të Vlahovic të jetë i qartë, por nuk kam dëgjuar asgjë, asnjë kontakt.”

Në rast se pritja vazhdon për një kohë të gjatë, Arsenal mund të heqë dorë nga ndjekja e lojtarit, pasi Mikel Arteta gjithashtu ka alternativat e tij.

Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll