Connect with us

Futboll

Uellsi me “një këmbë në Katar”, ja çfarë e pret Gareth Bale me shokë

Uellsi

Kombëtarja e Uellsit ka hedhur një hap të madh drejt kualifikimit në Botërorin e Katarit. Të besuarit e Robert Page barazuan 1-1 me Belgjikën, duke fituar kështu një vend në playoff-e. Kjo do të thotë se uellsianët janë vetëm 2 ndeshje larg finaleve të Kupës së Botës. Hera e parë dhe e vetme që Uellsi ka marrë pjesë në një Botëror, ka ndodhur në vitin e largët 1958.

Në playoff-e do të përballen gjithsej 12 skuadra me njëra-tjetrën, 10 ekipe vijnë nga vendet e dyta të grupeve të tyre respektive kualifikuese, ndërsa 2 kombëtaret e tjera janë ato me rankimin më të lartë në Nations League. Përfaqësueset do të sfidojnë njëra-tjetrën në dy raunde, atë të gjysmëfinaleve dhe finaleve. Fituesi në secilin prej këtyre raundeve do të vendoset vetëm me 1 takim.

Uellsi do të luajë gjysmëfinalen e playoff-eve në shtëpinë e vet, një avantazh ky i madh duke qënë se të besuarit e Page, sipas shorteut, kanë shmangur përballjet e ferrit me Italinë apo Portugalinë. Uellsianët do të përballen me një prej ekipeve: Turqi, Poloni, Maqedoni e Veriut, Ukrainë, Austri dhe Republika Çeke.

Trajneri Robert Page nuk i fshehu dot emocionet në përfundim të takimit:

“Jam shumë krenar me lojtarët. Ata e kanë bërë vendin e tyre krenar. Ishte mjaft emocionuese t’u shprehja atyre se si ndihesha. Dinamika e këtij grupi lojtarësh, miqësia dhe shpirti i ekipit që ata kanë, është e gjitha e pabesueshme. Nuk kam përjetuar asnjëherë më parë diçka të tillë. Fakti që jam pjesë e këtij momenti më bën shumë krenar.”

Tekniku i përfaqësueses belge, Roberto Martinez, gjithashtu përgëzoi Uellsin për kualifikimin në playoff-e. Ish-trajneri i Swansea City, analizoi shancet që uellsianët kanë për t’u kualifikuar, duke vënë theksin tek avantazhi i fushës:

“Është e drejtë të thuhet që në shtëpi, Uellsi është më kërcënues. Mendoj që për një kombëtare bën diferencë të madhe fakti që do të luajë në shtëpinë e vet. Sa herë që topi është në zonën kundërshtare, apo kur një lojtar i caktuar e ka nën kontroll, brohoritjet e tifozëve të japin një shtysë ekstra.”

Kujtojmë se Belgjika u kualifikua në mënyrë direkte në Botërorin e Katarit, duke qënë se siguroi vendin e parë në grupin E, me 20 pikë.

Trajneri Martinez shtoi:

“Dua ta shfrytëzoj këtë mundësi për të falenderuar fansat tanë. Në 2 ndeshjet e fundit kanë qënë të jashtëzakonshëm. Kam qënë në fushën e blertë si lojtar dhe e di se çfarë ndjesie është kur tifozët këndojnë himnin kombëtar.”

Kualifikueset e këtij botërori kanë prodhuar jo pak surpriza. Kampionët e Europës, Italia si dhe Portugalia e Cristiano Ronaldos do të duhet të luftojnë për një vend në Katar, ndërkohë që Suedia dhe Rusia kanë po të njejtin fat. Spanja dhe Kroacia, megjithëse ia dolën të kualifikohen si të parat në grupin e tyre, rrezikuan duke lënë çështjen e kualifikimit në ndeshjen e fundit. Mbetet të shohim nëse takimet e playoff-it do të prodhojnë të njejtat surpriza.

Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll