Connect with us

Futboll

Tottenham – Harry Kane ende i pavendosur për të ardhmen

Harry Kane

E ardhmja e Harry Kane mund të kthehet përsëri në një temë të nxehtë gjatë merkatos së ardhshme në verë. Sulmuesi 28 vjeçar donte të largohej në fund të sezonit që lamë pas, dhe Manchester City kishte gati një shumë të konsiderushme për të sjellë në Etihad yllin e kombëtares angleze. Por presidenti i Spursave, Daniel Levy ia doli t’i rezistonte tundimit duke mbajtur Kane në ekip.

Me ardhjen e trajnerit Antonio Conte në krye të klubit, prespektiva e Kane ndryshoi, dhe lojtari e bëri mjaft të dukshëm faktin se ndihet tashmë i lumtur te Tottenham. Ai ka shënuar 4 gola në 10 ndeshjet e fundit, dhe performancat e tij në rritje kanë ndikuar pozitivisht dhe në ecurinë e skuadrës. Por kjo nuk do të thotë se bomberi i “3 Luanëve” ka marrë një vendim përfundimtar mbi të ardhmen e tij.

Sipas gazetarit Fabrizio Romano, drejtuesit e Tottenham kanë parë ndryshimin në qasjen e lojtarit ndaj klubit. Duke u nisur nga kjo ata kanë filluar të përpunojnë një kontratë të re për Kane, por nga ky i fundit ende nuk kanë marrë një reagim. Mediat angleze bëjnë me dije se lojtari ka si kusht kryesor për rinovimin, kualifikimin e ekipit në Champions League sezonin e ardhshëm. Harry Kane e di mjaft mirë se cilat klube interesohen për të, dhe të gjitha këto ekipe e kanë të siguruar një vend në Champions, ndryshe nga Tottenham, që lufton për vendin e katërt në renditjen e Premier League.

Antonio Conte ndërkohë gjithashtu ka shprehur lëvdatat e tij për Kane, duke shfaqur në mënyrë indirekte dëshirën e tij që lojtari të qëndrojë në skuadër. Tekniku italian tha:

“Sigurisht kur ke një lotjar si Kane në skuadër duhet të përpiqesh që ta bësh pjesë të idesë tënde taktike të futbollit. Ai është një lojtar i rëndësishëm për ne, dhe duhet të jetë një pikë reference teksa zhvillojmë futbollin tonë ofensiv.”

Conte shtoi:

“Po mundohemi të punojmë me të në shumë aspekte. Mendoj se çdo lojtar mund të përmirësohet, deri në momentin që vendos të lërë futbollin. Po flasim për një person shumë të dedikuar që tregon çdo ditë dëshirë në stërvitje. Ai është gjithmonë i gatshëm për shokët e skuadrës dhe gjithmonë gati të përmirësohet dhe të adaptojë situata të reja taktike. E përsëris, po flasim për një sulmues të klasit të lartë dhe unë po mundohem ta ndihmoj që të bëhet akoma më i mirë.”

Megjithëse Kane ka shënuar më pak gola këtë vit në krahasim me sezonet e kaluara, trajnerin Conte duket se nuk e shqetëson kjo gjë. Italiani është i bindur në aftësitë e Kane dhe mendon se sulmuesi ka potencialin për të shënuar në çdo takim:

“Ashtu siç e kam përsëritur dhe më parë, performancat e tij (Kane) kanë qënë shumë, shumë, shumë pozitive, pavarësisht se nuk ka shënuar shumë gola. Po flasim për një sulmues të klasit botëror. Ai është i aftë të shënojë në çdo ndeshje. Ne gjithashtu duhet ta ndihmojmë atë të shënojë.”

Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll