Connect with us

Futboll

Manchester United – Ronaldo kërkon opsione nga Jorge Mendes

ronaldo

Bisedimet me agjentin Jorge Mendes mund të jenë kyç përsa i përket të ardhmes së Cristiano Ronaldo në Old Trafford. Muajin e kaluar, Dailystar zbuloi se portugezi është duke marrë parasysh të gjitha opsionet që ka në tavolinë, por tashmë gjithçka është më e qartë.

CR7 po shpreson të takohet kokë më kokë me agjentin e tij Jorge Mendes gjatë muajit Mars, kur futbollisti të kthehet në kombëtaren portugeze për ndeshjen kualifikuese të Botërorit përballë Turqisë. Ylli i Manchester United kërkon të dijë nga super agjenti i tij se cilat janë ekipet që potencialisht mund të kërkojnë shërbimet e tij në verë.

Ronaldo dështoi të krijojë një marrëdhënie të mirë me trajnerin e përkohshëm të “Djajëve të Kuq”, Ralf Rangnick. Kjo gjë solli dhe një rënie në formë të dukshme në performancat e portugezit në fushën e blertë. Superstari portugez ka dështuar të shënojë gol në 5 takimet e fundit, duke vuajtur së bashku me ekipin eleminimin surprizë nga Middlesbrough në FA Cup. Sikur të mos mjaftonte kjo, Ronaldo u la në stol në barazimin zhgënjyes që United regjistroi ndaj Burnley, që mban vendin e fundit në Premier League.

Cristiano ka një kontratë deri në vitin 2023 me anglezët, pra është i lidhur me United dhe për të paktën 1 vit e gjysmë. Por shumë gjëra do të varen nga trajneri i ri që do të vijë në krye të skuadrës në fund të sezonit. Sulmuesi e ka bërë të qartë se nuk do ta mbështesë emërimin e Rangnick si trajner të klubit, nëse bordi drejtues shkon me këtë skenar. Ndërsa për 2 alternativat e tjera që janë përmendur më shumë, Mauricio Pochettino dhe Erik Ten Hag, portugezi nuk ka një mendim pasi nuk ka luajtur ndonjëherë për ta, por është më i hapur ndaj këtyre propozimeve.

Në një intervistë të fundit, Ronaldo pranoi se ëndrra e rikthimit të tij në Old Trafford po rrezikon të kthehet në një makth. Por drejtori i ri sportiv i klubit, Richard Arnold, ende ka shpresë se mund t’i mbushë mendjen lojtarit që të mos largohet. Momentalisht Cristiano përfiton rreth 500 mijë paundë në javë nga kontrata e tij me United, një shifër e jashtëzakonshme. Por në rastin e portugezit, përfitimet financiare kalojnë në plan të dytë.

Deri më tani, duket se Richard Arnold po e humbet betejën për t’i mbushur mendjen sulmuesit veteran që të mos largohet nga klubi.

“Djajtë e Kuq” ndodhen momentalisht në vendin e 6-të në renditjn e Premier League, që është një zhgënjim më vete. Në të njejtën kohë, United ka vetëm 3 pikë më shumë se rivalët më të afërt të Tottenham, të cilët kanë zhvilluar 2 ndeshje më pak. Rreziku për të mos u kualifikuar në Champions League sezonin e ardhshëm është real, dhe kjo gjë është e papranueshme për Ronaldo. Anglezët i pret një ndeshje mjaft e vështirë përballë Atletico Madrid dhe një eleminim nga Champions League do të ishte një tjetër goditje e vështirë për t’u përtypur nga CR7.

Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll