Connect with us

Futboll

Steven Gerrard një start ëndrrash tek Aston Villa – Sa larg mund të shkojë ekipi i ish-mesfushorit?

Steven Gerrard

Steven Gerrard ishte gjithmonë lojtari që bënte diferencën në fushën e blertë, si me kombëtaren angleze, ashtu dhe me ish-klubin e tij, Liverpool. Por tani, ai duket se po bën të njejtën gjë me klubin e Aston Villa, kësaj rradhe në rolin e trajnerit.

Fitorja e së dielës përballë Leicester City ishte e treta në katër ndeshje për Gerrard, që prej momentit kur ai mori drejtimin e klubit. Villa ka pësuar vetëm një humbje, me rezultatin e ngushtë 1-2, përballë kampionëve në fuqi të Manchester City. Ky rezultat është tërësisht i justifikuar, sidomos duke marrë parasysh performancën e mirë të ekipit në fushë. Dhe kjo është ajo që bie më shumë në sy tek Aston Villa që prej ardhjes në krye të pankinës së Gerrard.

Përballë Leicester ekipi zhvilloi një ndeshje perfekte në planin taktik. Në pjesën e parë trajneri kuptoi menjëherë problemet në rreshtimin e skuadrës së tij, që ishin dhe arsyeja e pësimit të golit. Gerrard ishte i aftë që t’i komunikonte ekipit, pikërisht mesazhin që duhej, dhe lojtarët ekzekutuan me sukses udhëzimet, duke fituar në fund takimin.

Në momentin që skuadra kaloi në avantazh përballë Leicester, dy mbrojtësit anësorë ulën ritmin duke mos avancuar më përpara. Ky vendim i zgjuar i futbollistëve në fushë ishte arsyeja se përse Villa mori një tjetër 3-pikësh. Marvelous Nakamba, John McGinn dhe Ollie Watkins kanë performuar mjaft mirë në javët e fundit, duke siguruar kështu vendin e titullarit në ekip.

Një tjetër detaj që nuk mund të lihet pa u përmendur, është energjia që Aston Villa shfaq në fushë. Lojtarët vrapojnë gjatë gjithë takimit, dhe nuk kanë frikë të përfshihen në duele trup më trup me kundërshtarët e tyre. Kjo gjë ka ekzaltuar tifozët vendas në Villa Park, të cilët e prisnin prej kohësh këtë lloj loje nga skuadra e tyre.

Ndërkohë Gerrard është shprehur se dëshiron që të formojë një ekip, akoma më solid. Deklarata e trajnerit bën sens duke marrë parasysh se Villa pati humbur 5 ndeshje rradhazi, përpara ardhjes së anglezit në krye të pankinës. Megjithëse ekipi ka bërë një kthesë pozitive, Gerrard nuk do të rrezikojë duke u rrëmbyer nga euforia e momentit.

Trajneri gjithashtu ka ditur mjaft mirë të kombinojë eksperiencën e lojtarëve veteranë, me freskinë e talenteve të reja. Jacob Ramsey dhe Carney Chukwuemeka ishin 2 lojtarët e rinj që u futën në fushë ndaj Leicester, vetëm 12 minuta përpara fundit të takimit. Shkathtësia e tyre, e kombinuar me eksperiencën e emrave si Ashley Young, ka rezultuar një strategji perfekte për Aston Villa.

Sipas analistëve sportivë, fakti që Villa nuk bën pjesë në klubet “big” të Premier League është diçka që favorizon trajnerin Gerrard. Kjo pasi anglezi ka më shumë kohë që të krijojë një skuadër, sipas prespektivës së tij. Ndërkohë që në klube si Manchester United apo Chelsea presioni për të fituar trofe në një kohë të shpejtë është i lartë. Steven do të ketë në dispozicion financa të mjaftueshme për merkaton e janarit, për këtë arsye, interesi është i lartë për të parë se cilat do të jenë afrimet apo largimet në kampin e Villa.

Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll