
Paris Saint-Germain sipas raportimeve është duke përgatitur një ofertë për talentin italian Sandro Tonali.
Lojtari vetëm 19 vjeçar aktivizohet për Brescia në Serie A. Ai luan si mesfushor dhe sezonin e kaluar u shpall futbollisti i vitit në Serie B. Rrjedhimisht ishte një nga lojtarët kyç që ndihmoi Brescian të ngjitej në elitën e futbollit italian.
Sigurisht performancat e mira nuk mund të kalonin pa u vënë re, dhe përveç PSG, Sandro Tonali ka tërhequr dhe vëmendjen e Juventus, Manchester United dhe Manchester City.
Italiani ka shënuar 1 gol në 17 paraqitje me klubin e tij dhe kombëtaren italiane.
Raportimet në Francë tregojnë se PSG duket më afër dhe më e interesuar për të blerë Sandro Tonali dhe përfaqësuesit e klubit francez janë duke vëzhguar paraqitjet e tij.
Megjithatë ende mungon një ofertë zyrtare nga parizienët, por pritet që klubi të marrë një vendim në javët e ardhshme.
Ndërkohë duket se dhe drejtuesit e Juventus kanë filluar lëvizjet e tyre. Drejtori sportiv i Juventus, Fabio Paratici thuhet se ka filluar bisedimet me Brescian për mesfushorin e talentuar italian.
Sipas burimeve të Tuttosport thuhet se dhe skuadra e Inter po vëzhgon në heshtje Tonalin, kurse në Angli, 19 vjeçari është i preferuari i Pep Guardiolas.
Trajneri i Manchester City e sheh lojtarin e ri si blerjen perfekte për të përforcuar mesfushën e skuadrës së tij.
Ndërkaq vet Sandro Tonali është i prirur të pranojë një lëvizje drejt një klubi tjetër europian, duke marrë parasysh dhe faktin, që skuadra e Brescia-s gjendet në vendin e fundit në klasifikimin e Serie A.Tani mbetet të shohim se çfarë do të rezervojë merkatoja e janarit për 19 vjeçarin e talentuar.
Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!
