Connect with us

Futboll

Rrëfehet Andres Iniesta: Një ditë dëshiroj të rikthehem te Barcelona

Andres Iniesta

Dashuria për Barcelonën duket se është ende shumë e fortë për Andres Iniestan. Kampioni i Botës me Spanjën, dhe ish-mesfushori i katalanasve, ka reflektuar mbi sezonet e lavdishme që kaloi tek klubi, dhe ka shprehur dëshirën për t’u rikthyer një ditë në Camp Nou.

Për 3 vitet e fundit Japonia ka qënë shtëpia e Iniesta, atje ku mesfushori aktivizohet me skuadrën e Vissel Kobe. Edhe në vendin e largët, trofetë nuk kanë munguar për lojtarin, që ka fituar Superkupën e Japonisë dhe Kupën e Perandorit. Së fundmi, spanjolli firmosi një kontratë të re me klubin, deri në vitin 2023. Kjo do të thotë se Andres do të zbresë në fushën e blertë, të paktën deri në moshën 40 vjeçare.

Në një intervistë për BBC Sport, 2 herë kampioni i Europës u pyet për stilin e lojës dhe pasimet e tij që duken gati të pamundura. Iniesta tha:

“E konsideroj veten time një lojtar intuitiv, që lexon lojën disa hapa para. Në pozicionin që luaj, ky është avantazhi im kryesor dhe mundohem t’i shfrytëzoj në maksimum mundësitë që më vijnë. Vazhdimisht më duhet të procesoj mendime në kokën time. Nuk është e lehtë ta përshkruaj. Gjërat ndodhin në mënyrë disi automatike. Mendoj se i kam mësuar që kur kam qenë i vogël nëpërmjet praktikës. Në qoftë se në futboll fillon të mendohesh, je shumë i ngadaltë.”

Sigurisht, nuk kishin si të mungonin dhe kujtimet nga sezonet e kaluara te Barcelona, ku lojtari mori dhe statusin e një prej mesfushorëve më të mirë në botë, pse jo, dhe të të gjitha kohërave. Ai shtoi:

“Te Barcelona çdo ndeshje ishte si një provim të cilin duhej ta kaloje. Kam pasur trajnerë të ndryshëm. E nisa me Louis van Gaal, më pas ishte Guardiola, Luis Enrique dhe Ernesto Valverde. Të gjithë trajnerët të mësojnë diçka. Mbase ka pasur kohë kur kam luajtur më pak, por dhe ato eksperienca më kanë mësuar shumë. Është e vështirë të veçoj një teknik nga i cili jam influencuar më shumë, dhe e njejta gjë vlen dhe për lojtarët. Kam qenë te Barcelona dhe kombëtarja spanjolle në momente shumë të mira, kam luajtur me lojtarët më të mirë botë dhe kam mësuar shumë prej tyre.”

Por sigurisht, Barcelona nuk është sot e njejta skuadër siç ishte kur aktivizohej Iniesta. Pavarësisht këtij fakti, mesfushori e pati të vështirë të kritikojë ish-klubin e tij, dhe u tregua “diplomatik” kur u pyet për sitautën në të cilën gjendet Barca sot:

“Gjithmonë do ta shikoj Barcelonën me një sy të mirë. Shumë gjëra kanë ndryshuar, lojtarët janë të ndryshëm, por koncepti dhe ideja është ende aty. Gjithmonë do të ketë kohëra të mira dhe momente jo aq të mira, kështu ka qenë gjithmonë. Personalisht nuk më pëlqen të bëj krahasime.”

I pyetur për rikthimin e mundshëm në Camp Nou, pas përfundimit të karrierës si futbollist, Iniesta deklaroi:

“Po, është diçka që e dëshiroj. Dua që të ndodhë pasi mbi të gjitha, kam shpenzuar shumë vite në atë klub. Nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, ka shumë faktorë që më pengojnë të jap një përgjigje definitive. Por nëse më pyesni se a kam dëshirë të rikthehem, përgjitha është po.”

Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll