Connect with us

Futboll

Rebelimi i Bale, c’duhet të bëjë Real Madrid

real madrid

Trajnerit të Real Madrid, Zinedine Zidane, do t’i duhet të përballet sërish me një problem i cili shqetëson prej muajsh kampin madrilen dhe që mban emrin e Gareth Bale.

Situata e sikletshme e muajve të verës u duk sikur u la pas për njëfarë kohe në startin e sezonit. Bale u aktivizua si titullar nga Zidane dhe dhuroi disa paraqitje të mira derisa një periudhë dëmtimesh solli sërish mungesën e tij. Megjithatë akti i fundit i rebelimit nga uellsiani dikton se marrëdhënia e tij me klubin jo vetëm që nuk është përmirësuar, por mund të jetë në momentin e saj më negativ.

Pasi arriti kualifikimin për Euro 2020 me kombëtaren  tij, një Gareth Bale i ekzaltuar festoi së bashku me shokët e ekipit me një flamur ku shkruhej “Wales. Golf. Madrid. In that order.”(Uellsi. Golfi. Madridi. Sipas kësaj rradhe.) 

Flamuri ishte sjellë nga tifozët si një përgjigje ndaj deklaratave të ish futbollistit të Real Madrid, Predrag Mijatovic i cili u shpreh në një intervistë të kohëve të fundit se prioritetet e Bale ishin sipas kësaj renditjeje dhe madrilenët ishin në fund të listës për nga rëndësia.

Megjithatë një fjali ironike e stampuar nga fansat merr një tjetër rëndësi kur vetë futbollisti feston me atë flamur dhe këndon fjalët e printuara në të, të cilat sulmojnë klubin e tij. Të gjithë ishin në dijeni të ftohtësisë së marrëdhënieve të Bale me klubin, por një gjest i tillë do të jetë i vështirë për tu pranuar nga rekordmenët e La Liga dhe aq më tepër prej fansave të tyre.

Në këtë situatë lind pyetja se cili do të jetë vendimi i Zidane për Bale dhe si do të ndikojë kjo ngjarje mbi të ardhmen e uellsianit. Francezi pritet të vihet para këtyre pyetjeve të gazetarëve gjatë konferencës për shtyp në vigjilje të sfidës ndaj Sociedad e vlefshme për javën e 14-të të La Liga.

Në pritje të regimit të trajnerit ka qenë e përditshmja sportive spanjolle Marca e cila ka kërkuar opinionin e fansave mbi vendimin që duhet të marrë klubi për Gareth Bale dhe rezultatet kanë qenë si më poshtë:

  • Ndërpreje kontrate e njëanshme nga klubi                 11%
  • Ndërprerje me marrëveshje e kontratës                      6%
  • Të lihet në tribunë (jashtë skuadrës për ndeshjet) 12%
  • Të shihet në Janar                                                             38%
  • Ta shfrytëzojnë këtë sezon dhe të shitet në verë   22%
  • Të qëndrojë në klub                                                        11%

Sic duket qartë nga sondazhi fansat e Real Madrid dëshirojnë në shumicë largimin e tij qoftë në Janar apo merkaton verore, por me opsionin e largimit në Janar që ka qenë alternativa më e votuar me 38% të votave.

Pavarësisht polemikave të kohëve të fundit, Gareth Bale ka dhuruar paraqitje fantastike gjatë sezoneve të shkuara në Madrid dhe ka fituar shumë trofe të rëndësishëm, por ky gjest i tij mund të sjellë fundin e aventurës së tij tek Los Blancos. Fansat e kanë shprehur qartë frustrimin e tyre, Zidane dhe klubi do të duhet të marrin një vendim, por gjasat janë që e ardhmja e uellsianit të jetë larg Santiago Bernabeut.

Lajdan është një nga kontribuesit kryesorë të "Portali Sportiv", me një pasion për gazetarinë sportive ai ka treguar gjithmonë një nivel të lartë profesional në përcjelljen e lajmit tek audienca jonë!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll