Connect with us

Futboll

Ravel Morrison dhe Mario Balotelli, kur talenti nuk mjafton

morrison

Prej më shumë se një dekade, futbolldashësit kanë pasur fatin të shijojnë epokën e dy prej futbollistëve më të mirë të historisë së futbollit, Ronaldo dhe Messi. Dy lojtarë fenomenalë që shkëlqejnë në mënyrë konstante dhe udhëheqin skuadrat e tyre drejt suksesit.

Por cili është sekreti i tyre? Për këtë temë nuk mund të jepet një përgjigje definitive, megjithatë disa vëzhgime mund të bëhen. Për tu bërë një prej futbollistëve më të mirë në botë duhet padyshim talent, punë konstante dhe profesionalizëm.

Përvec tyre edhe një sërë faktorësh të jashtëm luajnë një rol të rëndësishëm dhe për fatin tonë, tek Messi dhe Ronaldo kombinimi i mësipërm ka funksionuar si duhet.

Megjithatë ka pasur raste kur talente të mëdhenj nuk e kanë arritur asnjëherë potencialin e tyre maksimal.  Disa kanë dështuar ende pa nisur mirë, të tjerë kanë arritur majën, por pa arritur të qëndrojnë gjatë aty. 

Ravel Morrison

Ish-kapiteni i Manchester United, Rio Ferdinand, shprehej se në ekipet e moshave emra si Pogba, Lingard dhe Januzaj e shihnin Morrison si pikë referimi. Djaloshi shihej si një talent natyral, fakt që nuk i kishte shpëtuar Sir Alex Ferguson i cili thuhet se e kishte vlerësuar si më të mirë edhe se Ryan Giggs.

Në vitin 2011, të rinjtë e United arritën të fitonin FA Youth Cup me Morrison që arriti të shënonte në gjysëmfinale dhe finale. Ky shkëlqim pritej ti siguronte atij më shumë mundësi në ekipin e parë gjatë sezonit të ardhshëm të Premier League.

Por trajektorja e karrierës së tij  do të merrte një drejtim të padëshiruar për shkak të problemeve jashtë fushës. Shoqërimi me persona të dyshimtë, akuza për kanosje, përplasjet me shokë të skuadrës bën që Morrison të humbistë statusin si një yll i të ardhmes.

Në fillim u transferua tek West Ham, më pas disa huazime në skuadra më të dobta në Angl, një aventurë e shkurtër tek Lazio dhe më pas sërish emigrim në skuadra inferiore. 

Sot Ravel Morrison është 26 vjec dhe luan tek Sheffield United. Skuadra është duke bërë mirë momentalisht në Premier League, por Morrison ka kontribuar pak duke u aktivizuar vetëm në 1 ndeshje.

Një talent që shihej si e ardhmja e mesfushës së Manchester United, sot është thjesht një futbollist i zakonshëm që rrallë i jepet mundësia për tu shfaqur në fushë.

Mario Balotelli

Ky nuk është një fakt që përmendet shpesh, por Mario Balotelli ka qenë pranë Barcelonës në vitin 2006 pas një prove me ekipet e moshave të katalansve. Përfaqësuesit e tij nuk arritën një marrëveshje me klubin dhe duke parë vazhdimin e karrierës së tij ndoshta janë penduar.

Disiplina dhe puna në La Masia mund ti kishte dhënë një tjetër formim një futbollisti i cili talentin e kishte të padiskutueshëm dicka që ishte evidente që në fillimet e tij në Serie A.

Aventura e Super Mario me Inter nisi mjaft mirë, por me kalimin e kohës problemet filluan të shfaqeshin. Roberto Mancini do të shprehej: “ Nëse Mario nuk bëhet një prej më të mirëve në botë do të jetë vetëm faji i tij, pasi përsa u përket cilësive, ka gjithcka që i duhet.”

Të gjithë e kujtojmë dygolëshin e Balotelli ndaj Gjermanisë, si pikën më të lartë që Super Mario do të arrinte.  Aventurat e tij  në Premier League me Manchester City dhe Liverpool, dhe ajo në Serie A me Milan ishin të ngjashme me njëra-tjetrën.

Potenciali ishte i madh, por problemet brenda dhe jashtë fushe nuk do e lejojnë Balotelli ta arrijë atë.

Tashmë pas aktivizmit tek Nice në Francë, Balotelli është rikthyer tek Brescia në Serie A për të cilët ka shënuar 5 gola deri tani. Jo keq, por kur bëhet fjalë për një futbollist që mund të ishte shndërruar në një prej më të mirëve, këto shifra nuk impresionojnë.

Lajdan është një nga kontribuesit kryesorë të "Portali Sportiv", me një pasion për gazetarinë sportive ai ka treguar gjithmonë një nivel të lartë profesional në përcjelljen e lajmit tek audienca jonë!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll