Connect with us

Futboll

Premier League dhe Covid, flet Antonio Conte: Mbledhja e trajnerëve një humbje kohe

Antonio Conte

Trajneri i Tottenham Hotspur, Antonio Conte, ka deklaruar se takimi i së enjtes mes trajnerëve të Premier League, për të diskutuar rreth pandemisë së Covid-19, që ka prekur tashmë në masë ekipet angleze, ishte si të flisje me “një mur me tulla”.

Ditën e hënë, bordi drejtues i Premier League zgjodhi që kampionati të vazhdojë, dhe përgjatë periudhës festive. Por tre ndeshje të tjera të datës 26 dhjetor u anulluan, duke e çuar totalin në 13, ndërsa lojtarët dhe stafi i ekipeve të Premier League, regjistruan javën e kaluar një numër rekord infektimesh, plot 90 teste pozitive.

I pyetur mbi takimin që trajnerët e klubeve zhvilluan me njëri-tjetrin, Conte shprehu mendimin e tij:

“Mendoj se ishte një humbje kohe. Dita e djeshme ishte si të flisje me një mur me tulla, për këtë arsye nuk dua ta diskutoj në detaje.”

Ndërkohë drejtues të Premier League refuzuan të komentojnë mbledhjen, por u shprehën për BBC Sport se Antonio Conte, nuk kontribuoi me ide sesi mund të përmirësohet situata. Të enjten, Liverpool vs Leeds dhe Wolves vs Watford u shtynë për shkak të korona-virusit, ndërsa ndeshja midis Burnley dhe Everton gjithashtu u anulua të premten.

Tottenham, që ndodhet momentalisht në vendin e 7 në renditjen e përgjithshme, është goditur rëndë nga virusi, dhe kanë qënë të detyruar të shtyjnë për një moment të dytë, 2 ndeshje në kampionat. Në të njejtën kohë, londinezët u detyruan të hiqnin dorë nga Europe Conference League, pasi nuk ishin në gjendje të luanin, duke humbur kështu në tavolinë takimin.

Conte gjithashtu shtoi:

“Për të qënë i sinqertë, ishte një takim ku ne u përpoqëm të flisnim dhe disa trajnerë u përpoqën të jepnin idetë e tyre, por mendoj se gjithçka ishte e vendosur që në start. Sepse kur ke përballë një mur, mund të flasësh dhe të pyesësh çfarë të duash, por vendimi është marrë tashmë.”

Trajneri i Norwich, Dean Smith përforcoi argumentin e Conte, duke shprehur gjithashtu pakënaqësitë e tij drejtuar Premier League:

“Ne shkuam dje në një takim ku vendimet ishin marrë tashmë, kështu që mendoj se e kishim humbur që në fillim mundësinë, për sa i përket vendimmarrjes. Ata (bordi i Premier League) vendosën që sezoni të vazhdojë siç ishte parashikuar që në fillim, dhe ne duhet të përmbushim ndeshjet sipas kalendarit. Kjo do të thotë se duhet të përballojmë situatën sa më mirë të mundemi.”

Më herët gjatë kësaj jave, Jordan Henderson i Liverpool u shpreh ashpër ndaj organizatorëve të kampionatit anglez, duke thënë se ata nuk duan t’ia dinë për shëndetin e lojtarëve. Ndërsa trajneri i Crystal Palace, Viera, dha pak a shumë të njejtin mesazh, duke thënë se zëri i trajnerëve dhe lojtarëve duhet të dëgjohet më shumë.

Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, hodhi idenë e një greve nga ana e futbollistëve, pasi sipas spanjollit, kjo mund të jetë e vetmja mënyrë që autoritetet e Premier League të reagojnë ndaj situatës. Pep beson se kjo gjë ka pak gjasa të ndodhë, por tekniku është i mendimit se drejtuesit e kampionatit duhet të ndryshojnë qasjen e tyre ndaj problemit.

Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll