Connect with us

Futboll

Pas dëmtimit të Ben Chilwell, Chelsea ka gati zëvëndësuesin

Ben Chilwell

Londinezët e Chelsea janë gati të bëjnë një lëvizje për Lucas Digne të Everton, pas marrjes së lajmit se Ben Chilwell nuk do të luajë më në pjesën e mbetur të sezonit. Kampionët në fuqi të Europës, duke qënë të shqetësuar për dëmtimin e Chilwell, po shqyrtojnë alternativat për përforcime të mundshme në krahun e majtë të mbrojtjes.

Ish-lojtari i Leicester City pësoi dëmtimin muajin e kaluar, dhe në fillim trajneri Tuchel kishte shpresë se mbrojtësi do të kthehej në fushat e blerta pas dy muajsh pushim, pra nuk do të kishte nevojë për operacion. Megjithatë, tashmë është bërë e qartë se ai duhet t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale. Sipas parashikimeve paraprake, Chilwell ka të ngjarë të jetë jashtë fushave për rreth nëntë muaj, pra për gjithë pjesën e mbetur të sezonit.

Përveç Digne, Chelsea ka shqyrtuar dhe opsionet e brendshme, dhe një prej tyre është rikthimi në skuadër i adoleshentit holandez Ian Maatsen. Ky i fundit luan si lojtar i huazuar pranë Coventry City në Championship. 19-vjeçari po kalon një moment fantastik me klubin ku aktivizohet, por eksperienca e tij mbetet e kufizuar.

Megjithëse Maatsen mbetet një opsion, blutë e Londrës mbeten më të fokusuar tek afrimi i asit francez të Everton, Digne. Sipas prestigjozes 90min, Chelsea ka zhvilluar bisedime me agjentin e lojtarit, që përpara se të nënshkruante me Chilwell në 2020. Tani, anglzët janë sërish në gjurmët e Digne, të shtyrë më shumë dhe nga pakënaqësitë e mbrojtësit me klubin e tij aktual. Mediat vendase bëjnë me dije se lojtari kërkon të largohet nga Everton në janar, pas një mosmarrëveshjeje me trajnerin Rafa Benitez. Ky i fundit i ka dhënë aprovimin hierarkisë së klubit, për largimin e Digne. Në këto rrethana, futbollisti mund të lërë klubin vetëm pak kohë pas nënshkrimit të një kontrate të re.

Ky skenar duket akoma më afër realitetit, teksa Everton tashmë ka rënë dakord me Dynamo Kiev për zëvendësuesin potencial të Digne. Bëhet fjalë për Vitaliy Mykolenko, i cili pritet të mbërrijë në janar tek klubi anglez. Everton do të paguajë rreth 17 milionë paundë për shërbimet e lojtarit, duke i hapur kështu rrugë dhe largimit të Digne. Chelsea e sheh këtë të fundit si ideale për sistemin e mbrojtësve të krahut që Thomas Tuchel dëshiron të aplikojë, por mbetet për t’u parë se cila do të jetë shuma që Everton do të kërkojë për francezin.

Vetë Digne, përmes përfaqësuesve të tij, ia ka bërë të qartë Evertonit se do ta pëlqente mundësinë për t’u transferuar te Chelsea.

Dëmtimi i Chilwell është një goditje e rëndë për Thomas Tuchel, duke e lënë trajnerin e Chelsea pa shumë opsione në prapavijë. Marcos Alonso është lojtari i vetëm që ofron siguri në krahun e majtë të mbrojtjes, në Stamford Bridge. Saul Niguez, Christian Pulisic dhe Callum Hudson-Odoi kanë luajtur më përpara në këtë rol, por nuk është pozicioni i preferuar i asnjërit prej lojtarëve. Mbetet të shohim nëse Chelsea do të arrijë të hedhë hapa konkretë gjatë muajit të ardhshëm në merkato.

Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll