Connect with us

Futboll

Mosëmarrëveshje me agjentin, Donny van de Beek ngec te United

Donny van de Beek

Mesfushori hollandez i Manchester United, Donny van de Beek, është në mes të një konflikti me ish-agjentin e tij, Guido Albers. Lojtari u nda nga përfaqësuesi i tij afatgjatë në tetorin e vitit të kaluar, pasi dështimit të një huazimi drejt Everton.

Por vendimi i Van de Beek, për t’i kërkuar agjentit rival Ali Dursan, që t’i sigurojë një lëvizje gjatë merkatos së janarit nuk ka shkuar si duhet. Kjo pasi ish-agjenti Albers, ka refuzuar të prishë kontratën e tij me mesfushorin holandez. Kjo do të thotë se Ali Dursan nuk mund të përfaqësojë dot në mënyrë zyrtare hollandezin e United. Kjo do të thotë se sipas të gjitha gjasave, Donny do të qëndrojë tek United deri në fund të sezonit.

Një burim jo zyrtar pranë futbollistit deklaroi:

“Është mjaft e vështirë që Van de Beek të transferohet diku këtë merkato janari. Dursan nuk mund të sigurojë një mandat për të përfaqësuar lojtarin, pasi ai ka një marrëdhënie me agjensinë e Albers. Marrëveshja mes të dyve nuk skadon deri në fund të sezonit…”

Van de Beek ka zhvilluar vetëm 19 paraqitje që prej afrimit të tij tek United në vitin 2020. Trajneri i atëhershëm i “Djajëve të Kuq”, Ole Solskjaer, i premtoi vazhdimisht hapësira mesfushorit, por norvegjezi nuk ia doli të përmbushte premtimin e tij. 24 vjeçari ishte pranë një kalimi tek Barcelona, përpara se të mbërrinte në Premier League.

Pasi zgjodhi të largonte Albers për Dursan, mesfushori kishte shpresuar se klubi katalanas do ta “shpëtonte” atë nga United. Kjo pasi ishte pikërisht Dursan ai që ndërmjetësoi transferimin për 63 milionë paundë të Frenkie de Jong, në Nou Camp dy vjet më parë. 

Shkarkimi i Solskjaer dhe ardhja e trajnerit të përkohshëm Ralf Rangnick, nuk i ka përmirësuar perspektivat e Van de Beek në Old Trafford. Ai ka luajtur vetëm 96 minuta nën drejtimin e Rangnick, dhe ka mbetur në stol në dy ndeshjet e fundit të skuadrës. 

Ndërkohë United do të përballet me Wolves ditën e nesërme, duke kërkuar të regjistrojë një rezultat më bindës, sesa në ndeshjet e para nën drejtimin e Rangnick. Ky i fundit iu bashkua mendimit të analistit sportiv, Gary Neville, dhe kritikoi gjuhën e trupit të disa prej lojtarëve të tij, në fitoren 3-1 ndaj Burnley.

Mbrojtësi i spikatuar i United, Diogo Dalot komentoi:

“Ne kemi gjithmonë mundësinë të japim një imazh të mirë dhe performancë kualitative. E dimë se kemi cilësi, por duhet të japim pak më shumë në gjithçka. Ne duhet të mposhtim skuadrat duke dhënë më shumë energji në fushën e lojës.”

Dalot shtoi: 

“Kur trajneri dëshiron të ndryshojë formacionin, duhet të jesh inteligjent dhe të gjesh mënyrën më të shpejtë për t’u përshtatur.”

Rangnick është i famshëm për qasjen e tij të veçantë të lojës, që kërkon një ritëm të lartë nga lojtarët e tij, bazuar në nevojën për të ushtruar presing tek kundërshtarët. Kjo gjë i ka hapur derën Dalot, i cili pritet të rikthehet në formacionin fillestar, pasi u la jashtë në sfidën kundër Burnley. Ndërkohë, e ardhmja e Donny van de Beek ende nuk është e qartë. 

Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll