Connect with us

Futboll

Newcastle gati të godasë në merkato – Ja lojtarët që kërkon Eddie Howe

Eddie Howe

Trajneri i ri i Newcastle, Eddie Howe, po planifikon strategjinë që klubi do të ndjekë gjatë merkatos së janarit. Në listën e lojtarëve të tij të preferuar, bëjnë pjesë dhe disa futbollistë nga Bournemouth, ekipi ku Howe ishte trajner. Pronarët e rinj të klubit i kanë premtuar fonde teknikut, i cili do të rekrutojë lojtarë, me ndihmën e drejtorit sportiv, i cili ende nuk është përcaktuar nga bordi drejtues.

Sipas portalit 90min, prioriteti i Howe janë mbrojtësit dhe mesfushorët, por pavarësisht kësaj, trajneri po analizon çdo pozicion të mundshëm që ka nevojë për përmirësim. Në listën e dëshirave të teknikut bëjnë pjesë Nathan Ake, Lloyd Kelly dhe Jefferson Lerma. Nathan Ake tashmë aktivizohet me Manchester City, por ka luajtur për Bournemouth në të kaluarën. Ndërsa Lloyd Kelly dhe Jefferson Lerma janë momentalisht pjesë e ish-ekipit të Howe.

Nuk është surprizë që trajneri ka zgjedhur si objektiv kryesor, lojtarë të cilët i njeh, dhe ka bindjen që do të kenë impakt të menjëhershëm në fushën e blertë. Ishte pikërisht Howe që gjatë drejtimit të Bournemouth, firmosi me Ake, Kelly dhe Lerma, duke shpenzuar gjithsej 63 milionë paundë për futbollistët.

Kolumbiani Lerma është futbollisti që mban rekordin, për transferimin më të shtrenjtë në historinë e Bournemouth. Klubi pagoi plot 25 milionë paundë tek Levante në Spanjë, për të përfituar shërbimet e tij. Lojtari ka mjaft eksperiencë, dhe është pikërisht ajo që i duhet Newcastle për të përforcuar mesfushën.

Ndërkohë emrat e Isaac Hayden dhe Sean Longstaff gjithashtu janë linkuar me një lëvizje drejt ekipit të Howe, por trajneri është ende skeptik mbi rolin e tyre. “Magpies” gjithashtu po ndjekin me vëmendje situatën e Aaron Ramsey, Ross Barkley dhe Jesse Lingard. Të tre futbollistët po kalojnë një periudhë të vështirë tek klubet respektive. Talenti i tyre është tashmë i provuar, dhe Newcastle po shikon mundësinë e përfitimit nga pakënaqësitë që futbollistët kanë me skuadrat e tyre.

Eddie gjithashtu kërkon më shumë siguri në repartin difensiv. Sipas raportimeve, agjentët e klubit po monitorojnë nga afër mbrojtësin e Burnley, James Tarkowski. Lojtarit i skadon kontrata në fund të sezonit, por Burnley është konkurrent direkt me Newcastle në fund të renditjes së Premier League. Kjo do të thotë se klubi e ka të vështirë t’i shesë lojtarin Newcastle, duke qënë se po i bën një shërbim në garën mes tyre. Kjo është arsyeja se pse Howe e ka përqëndruar vëmendjen e tij, më shumë tek Ake dhe Kelly.

Ake e ka patur mjaft të vështirë të gjejë hapësira tek Manchester City, dhe objektivi i tij është të gjejë një ekip ku mund të jetë titullar i rregullt. Kjo pasi hollandezi gjithashtu dëshiron që të ketë një vend në kombëtaren e tij, në Botërorin e Katarit.

Newcastle ndërkohë po shqyrton alternativat për postin e drejtorit sportiv të klubit. Ky rol është mjaft i rëndësishëm për ekipin, që kërkon të shmangë me çdo kusht rënien nga kategoria. Për të arritur këtë objektiv, Newcastle mund të afrojë deri në 6 lojtarë të rinj këtë merkato dimri.

Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll