Connect with us

Futboll

Messi te Inter Miami: Ja çfarë thotë Gonzalo Higuain

Gonzalo Higuain

Inter Miami ka konfirmuar se klubi dëshiron të sjellë në Amerikë, Leo Messin. Lajmi është bërë i ditur nga Gonzalo Higuain, koleg i Messit te kombëtarja argjentinase. Gjithsesi, Higuain, i cili aktivizohet si sulmues me Inter Miami, ka thënë se transferimi do të duhet të presë, të paktën deri në vitin 2023. Edhe në qoftë se lëvizja bëhet realitet, Leo nuk do të luajë përkrahë patriotit të tij, Higuain. Kjo pasi ky i fundit ka plane të tjera.

Sulmuesi ka bërë me dije se pas sezonit 2022 do të heqë dorë përfundimisht nga futbolli i luajtur. Në një intervistë për prestigjozen Goal, argjentinasi deklaroi:

“Kam dhe 1 tjetër vit në kontratën time, më pas do të tërhiqem nga futbolli dhe gjithçka tjetër.”

I pyetur mbi Leo Messin dhe interesimin e klubit të MLS, Higuain tha:

“Nuk dua të futem në telashe, nuk e di në lidhje me Leon në Miami. Ai ka nënshkruar për 2 vite me PSG. Klubi e dëshiron, por do të shohim.”

Messi lidhi një kontratë të re për 2 vite me gjigandët e PSG, kontratë kjo e cila parashikon dhe rinovimin me një tjetër vit shtesë që është opsional. Një lëvizje drejt Amerikës është spekulluar prej kohësh për numrin 10 të kombëtares argjentinase. David Beckham, legjenda angleze e futbollit që është tashmë president i Inter Miami, asnjëherë nuk i ka fshehur planet e tij për të sjellë në ekip, yjet më të mëdhenj botërorë të futbollit. Gjithsesi, ai ka shmangur vazhdimisht komentet në lidhje me këtë temë.

Leo Messi ende nuk ka gjetur rrugën e rrjetës pas 2 ndeshjesh me francezët e PSG. Parizienët nuk shkuan më shumë se barazimi 1-1 në Champions League përballë Club Brugge, një rezultat ky zhgënjyes duke marrë parasysh organikën e lojtarëve që Pochettino ka në dispozicion. Mund të duket paradoksale, por Michael Owen, ish-sulmues i Liverpool dhe Real Madrid, mendon se afrimi i Messit, e ka bërë PSG më të dobët.

Owen komentoi:

“Sulmuesit e kësaj PSG-je janë të gjithë lojtarë fenomenalë, në mënyrën e tyre. Por së bashku, për mua janë më të dobët. Nuk e kuptoj se përse janë favoritët për të fituar Champions League. Mendoj se skuadrat angleze Chelsea, Liverpool, Manchester City dhe Man Utd janë më superiore. Kur vjen fjala te PSG, afrimet e Donnarumma dhe Sergio Ramos u japing atyre më shumë shance për të fituar sesa nënshkrimi me një lojtar si Leo Messi.”

Rio Ferdinand ndërkohë nuk ishte dakord me komentet e Owen, duke u treguar më “diplomatik” dhe duke pranuar rrezikshmërinë dhe potencialin e treshes së frikshme sulmuese, që përbën tashmë vijën ofensive të PSG. Ish-lojtari i Manchester United është i mendimit se nëse mesfusha e francezëve e bën punën e saj siç duhet, Messi, Neymar dhe Mbappe mund të shkaktojnë shumë dëme në portën kundërshtare.

Argjentinasi ndërkohë shënoi paraqitjen e 150 në Champions League përballë Brugge, por kjo ishte hera e parë që lojtari dëgjoi himnin e Champions League, me një fanellë tjetër nga ajo katalanase.

Portali Sportiv është portali më i madh online që ofron artikuj profesionalë ,analiza, lajme sportive etj. Na ndiqni, ne nuk do tju zhgënjejmë.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll