Connect with us

Futboll

Merkato – Tottenham kërkon De Ligt, Arsenal vë në shënjestër Karim Adeyemi

Karim Adeyemi

Raportimet më të fundit të Football Insider, bëjnë me dije se Tottenham ka vënë nën shënjestër mbrojtësin hollandez të Juventus, Matthijs de Ligt. Drejtori teknik i anglezëve, Fabio Paratici, po përgatit strategjinë për transferimin e 22 vjeçarit në Wembley, teksa Spursat kërkojnë të përforcojnë prapavijën e tyre.

Prioriteti i drejtorit teknik dhe trajnerit të ri të londinezëve, Antonio Conte, është të nënshkruajnë me të paktën një qendërmbrojtës të kalibrit të lartë në merkaton e janarit. De Ligt iu bashkua Juventus në verën e vitit 2019 nga Ajax, për shifrën e 67.5 milionë paundëve. Që prej atij momenti mbrojtësi asnjëherë nuk arriti të shkëlqente për italianët, pavarësisht faktit se transferimi i tij ishte më i shtrenjti për një lojtar difensiv, në historinë e Serie A.

Këtë sezon De Ligt ka zhvilluar 12 paraqitje me Juventus, por ka startuar si titullar në vetëm 7 prej këtyre takimeve. Përveç De Ligt, një tjetër objektiv madhor i Tottenham është dhe lojtari i Inter, Stefan de Vrij. Ky i fundit i ka komunikuar miqëve të tij se është i interesuar për një transferim në Angli, dhe opsioni më i realizueshëm duket pikërisht Tottenham.

Nga ana tjetër, rivalët Tottenham, Arsenal, po kërkojnë me ngulm talentin e RB Salzburg, Karim Adeyemi. Mikel Arteta po kërkon një tjetër sulmues për skuadrën e tij, duke marrë parasysh faktin se Alexandre Lacazette sipas të gjitha gjasave do të lërë klubin në fund të sezonit.

Gjithsesi klubi austriak i ka bërë me dije anglezëve se duhet të presin merkaton verore, për të kompletuar një transferim të mundshëm. Adeyemi, kartoni i të cilit vlerësohet në 18 milionë paundë nga transfermarkt.com, është shfaqur si një zëvendësues i mundshëm i Lacazette, por presidenti i Red Bull Salzburg, Harald Lurzerg, e di mirë se largimi i talentit në mes të sezonit futbollistik do t’i prishte shumë punë ekipit të tij.

Megjithatë, presidenti i klubit bëri faktuale, largimin e Adeyemi në verë. Duke folur në podkastin e Bild, Bayern Insider, ai tha:

“Ne jemi të vetëdijshëm se Karim ndoshta do të ndërmarrë hapin e ardhshëm në karrierën e tij verën që vjen”.

Adeyemi pranon se ngjitja e Erling Haaland të Dortmund, në skenën e futbollit botëror, i jep atij besimin se mund të ndjekë të njëjtën trajektore. Por lojtari i Salzburg është i bindur se dëshiron që të krijojë rrugën e tij, pavarësisht inspirimit që merr nga norvegjezi.

Duke folur për gazetën gjermane Sport 1, ai tha:

“A është Erling Haaland një model? Kjo është e vështirë të thuhet. Por sigurisht, si lojtar duhet të kesh parasysh se cilët janë më të mirët në pozicionin tënd. Haaland është duke bërë një punë të shkëlqyer me Borussia Dortmund, ai është zhvilluar shumë mirë dhe është rritur në shumë aspekte. Unë mund të pres të njejtën gjë dhe për veten time. Por, unë nuk mund ta krahasoj veten me Haaland, duhet të eci në rrugën time. Gjithsesi, gjithmonë mund të mësosh diçka nga një lojtar kaq i mirë.”

Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll