Connect with us

Futboll

Merkato – Ronaldo dhe Messi nuk duan të luajnë bashkë, PSG tërhiqet nga plani

cristiano ronaldon

Paris Saint-Germain nuk do të tentojë të afrojë Cristiano Ronaldon, edhe nëse ky i fundit dëshiron të largohet nga Manchester United në verë. Ky është lajmi që ka bërë të ditur SunSport teksa emri i protugezit u linkua së fundmi për një lëvizje të mundshme në Paris.

Në qoftë se CR7 vendos të lërë Old Trafford atij nuk do t’i mungojnë opsionet, pasi Bayern Munich dhe Roma gjithashtu janë të interesuar për të. Por PSG ka një arsye specifike se përse sipas raportimeve është terhequr nga një lëvizje për Ronaldo. Si CR7, ashtu dhe Leo Messi nuk dëshirojnë që të luajnë me njëri-tjetrin. Ky është pretendimi i gazetarit të mirënjohur sportiv, Gianluca Di Marzio. Ai tha për Wettfreunde:

“Nuk mendoj se Messi dëshiron që të luajë me Ronaldon, dhe as Ronaldo të luajë me Messin. Gjithashtu mendoj se as PSG nuk dëshiron që dyshja të luajë bashkë pasi marrëdhënia e tyre nuk është dhe aq e mirë. Vërtet nuk besoj se do të ndodhë, por surprizat në merkaton e futbollit ndodhin gjithmonë, gjithsesi ka shumë pak mundësi.”

Di Marzio u pyet se cili do të ishte roli i Neymar në qoftë se ai luan në të ardhmen përkrah Messit dhe Ronaldos. Ai u përgjigj:

“Të bësh së bashku Messin dhe Neymar me një sulmues tjetër mund të shkaktojë shumë probleme në dhomat e zhveshjes. Kjo pasi Messi dhe Ronaldo janë ‘prima donnas’. Ata duan që të jenë të parët dhe nuk mund të kesh 2 lojtarë të parë. Gjithashtu, Neymar ka një marrëdhënie të mirë me Messin. Ardhja e Ronaldos do të ndryshonte ekuilibrat dhe nuk mendoj se PSG do të shkaktojë probleme të tilla mes lojtarëve.”

Di Marzio gjithashtu komentoi për vështirësitë që mund të krijohen në fushën e blertë nga ky skenar. Sipas italianit, në rast se PSG do të kishte të disponueshëm Messi, Neymar dhe Ronaldo, gjërat do të bëheshin shumë të vështira për trajnerin.

Mediat angleze kanë bërë me dije përgjatë javës së kaluar se Ronaldo dëshiron të qëndrojë tek United, vetëm nëse klubi ia del të kualifikohet në Champions League sezonin e ardhshëm. Por ky duket një mision jo i lehtë. “Djajtë e Kuq” mbajnë momentalisht vendin e katërt në Premier League por asgjë nuk është e sigurt. Kjo pasi Arsenal, Wolves dhe Tottenham kanë 2 ndeshje më shumë për të luajtur. Gjithashtu, ekipi i Ralf Rangnick nuk ka qënë asnjëherë bindës gjatë këtij sezoni.

Një tjetër shqetësim i Ronaldos është dhe situata në dhomat e zhveshjes te “Djajëve të Kuq”. Shumë prej lojtarëve kanë zhvilluar paraqitje jo në nivelin e duhur për një klub si United. Grupi gjithashtu është i ndarë përsa i përket zgjedhjes së trajnerit të ardhshëm. Disa prej lojtarëve preferojnë që trajneri i përkohshëm Ralf Rangnick, të firmosë një kontratë permanente me klubin. Të tjerë dhe mes tyre dhe Ronaldo, e shikojnë teknikun gjerman si jo të duhur për stolin e United, dhe kërkojnë në krye dike tjetër. 

Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll