Connect with us

Futboll

Merkato – Real Madrid kërkon mbrojtësin e Arsenal

William Saliba

Mediat spanjolle kanë bërë me dije se Real Madrid po përgatit një ofertë zyrtare për mbrojtësin e Arsenal, William Saliba. Megjithëse kartoni i këtij të fundit zotërohet nga londinezët, lojtari nuk ka luajtur asnjëherë për ekipin e Mikel Artetës, dhe momentalisht aktivizohet si i huazuar me Marseille në Francë.

“Topçinjtë” blenë shërbimet e Saliba në vitin 2019 për shifrën e 27 milionë paundëve nga skuadra e Saint-Etienne. Por që në atë moment lojtari u aktivizua si i huazuar tek St-Etienne, përpara se të luante për Nice në pjesën e dytë të sezonit. Më pas, pas ardhjes në Londër të Ben White për 50 milionë paundë, Saliba u detyrua të largohej drejt Marseille për të gjetur më shumë hapësira.

Mbrojtësi ka impresionuar me paraqitjet e tij në Ligue 1, duke ndihmuar Marseille të renditet e treta në kampionat për momentin. Nëntorin e kaluar u tha se Arseal ishte gati t’i ofronte Salibas një kontratë të re deri në vitin 2024. Por tani është Real Madrid që po mundohet të joshë futbollistin drejt një aventure të mundshme në Madrid.

“Los Blancos” janë në kërkim të një qëndër-mbrojtësi pasi momentalisht trajneri Ancelotti ka në dispozicion vetëm Eder Militao dhe David Alaba, dhe këta të dy luajnë përkrah njëri-tjetrit. Nacho gjithashtu është një alternativë, por drejtuesit e klubit madrilen janë duke kërkuar një opsion më solid në planin afatgjatë.

Përveç William Saliba, Real është linkuar dhe me emrat e Antonio Rudiger dhe Niklas Sule. Të dy këta janë lojtarë të rinj në fund të sezonit, dhe mund t’i bashkohen Madrid me kosto zero. Por pas paraqitjeve fantastike me Marseille, Saliba është gjithashtu nën radarin e madrilenëve.

Muajin e kaluar mediat angleze raportuan se trajneri i Arsenal, Mikel Arteta, do t’i japë një shans sezonin e ardhshëm lojtarit. Kjo mundësi nuk erdhi vitin e kaluar, teksa Saliba u aktivizua me ekipin U-23. Asokohe Arteta deklaroi se lojtari nuk ishte ende gati për Premier League-ën. Por Saliba ishte qartësisht i mërzitur nga ky vendim. 

Mbrojtësi deklaroi se pritshmëritë e tij përpara transferimit në Londër ishin mjaft të larta, por ajo që ndodhi më pas ishte zhgënjyese. Ai tha:

“Përpara se të mbërrija tek Arsenal i thashë vetes se do të luaja, isha i sigurt, po mendoja se në krah të kujt do të aktivizohesha. Pasi erdha, nuk luajta asnjë ndeshje, dhe u aktivizova me ekipin U23. Kjo më dha një shuplakë të mirë në fytyrë. Gjërat ecin shumë shpejt në futboll. Nuk dua të mendoj për të ardhmen, do të bëj maksimumin tim. Më pas në verë do të ketë hapësirë për diskutime.”

Sipas L’Equipe, Arsenal do të hedhë poshtë ofertën e Marseille, për të blerë përfundimisht kartonin e Saliba. Por kjo nuk do të thotë se mbrojtësi do të qëndrojë tek Arsenal. Kjo pasi Real Madrid mund të ketë gati një ofertë shumë më të mirë financiare. Sipas të gjitha gjasave, William nuk do t’i thoshte jo një oferte nga gjigandët spanjollë, por dhe në Madrid do t’i duhej të luftonte për një vend titullari.

Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll