Connect with us

Futboll

Merkato – Cancelo rinovon me City, Newcastle kërkon Fabian Ruiz

Joao Cancelo

Mbrojtësi i Manchester City, Joao Cancelo, ka firmosur një kontratë të re me “qytetarët”. Portugezi do të jetë pjesë e ekipit të Pep Guardiolës, deri në vitin 2027. Megjithëse marrëveshja e tij me anglezët skadonte në vitin 2025, futbollisti ka vendosur të nënshkruajë një rinovim të hershëm, si shenjë besimi ndaj klubit të tij.

Cancelo iu bashkua Manchester City në vitin 2019 nga Juventus, dhe ka zhvilluar 106 paraqitje me anglezët, duke fituar 3 trofe madhorë. Mbrojtësi u shfaq shumë i lumtur pas zyrtarizimit të lajmit:

“Jam shumë i lumtur që kam firmosur këtë marrëveshje të re, nuk ka asnjë vend më të mirë për të luajtur futboll. Lojtarët e City kanë gjithçka u duhet për të arritur potencialin e tyre të plotë, ambiente stërvitore fantastike, shokë skuadre shumë të talentuar, si dhe një trajner të jashtëzakonshëm që na shtyn përpara çdo ditë.”

Këtë sezon Cancelo është aktivizuar në 30 takime me ekipin e tij, duke shënuar 3 gola dhe 8 asiste. Ai shtoi:

“Është një kënaqësi e madhe të punosh këtu. Kam kaq shumë për të arritur përpara se karriera ime të mbarojë, dhe Manchester City më ka ofruar shansin më të mirë për të plotësuar ëndrrat e mia.”

Ndërkohë në zhvillime të tjera të merkatos, Newcastle ka bërë një ofertë zyrtare për shërbimet e talentit të Napoli, Fabian Ruiz. Por presidenti De Laurentiis e di mirë se për lojtarin janë në garë dhe shumë klube të tjera. Kjo do të thotë se napoletanët mund të përfitojnë një shumë më të madhe për kartonin e tij.

Në përfundim të këtij sezoni, Ruiz do të ketë ende 1 vit kontratë aktive me Napolin dhe sipas të gjitha gjasave ofertat nuk do të mungojnë për të në verë. Arsenal ka dërguar që tani mesazhe se është i interesuar, por burime jo zyrtare bëjnë me dije se Manchester United, Manchester City dhe Liverpool, gjithashtu po monitorojnë lojtarin. Real Madrid dhe Barcelona gjithashtu pritet t’i shtohen listës. Muajin e kaluar Newcastle iu refuzua një ofertë prej 34 milionë paundësh për Ruiz, por nuk dihet se sa do të jenë të gatshëm anglezët të rrisin ofertën e tyre.

Mesfushori 25 vjeçar ka kaluar tashmë 3 vite e gjysmë në Itali, pas transferimit nga Real Betis në vitin 2018. Ai ia doli të triumfonte në Coppa Italia me klubin e tij, në vitin 2020. Megjithëse nuk është një sulmues, Ruiz ia ka dalë të shënojë 20 gola dhe 15 asiste, në 150 paraqitje me Napolin. Këta të fundit paguan 25 milionë paundë për kartonin e lojtarit, por duhet të shpejtojnë nëse duan të përfitojnë tashmë nga shitja e tij.

Por sfidë më vete mbetet gjetja e një zëvëndësuesi të denjë në rastin e largimit të tij nga “Gli Azzurri”. Deri më tani drejtuesit e klubit ende nuk kanë piketuar një emër. Duke marrë parasysh se Ruiz ka konsoliduar vendin e tij si titullar tek Napoli, largimi i tij do të lërë një boshllëk të pashmangshëm në mesfushën napolitane.

Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll