Connect with us

Futboll

Merkato – Barcelona kërkon sulmues, në “shënjester” yjet e United

Edinson Cavani

Barcelona është duke kërkuar me ngulm përforcime në repartin ofensiv. Katalanasit kanë nevojë më shumë se kurrë për një sulmues, pas startit të dobët të sezonit. Për këtë arsye, bordi drejtues i klubit ka përpiluar një listë me 10 lojtarë të cilët do të jenë objektivi kryesor i katalanasve në merkaton e janarit.

Në listën e mësipërme bëjnë pjesë dhe 2 yjet e Manchester United, Edinson Cavani dhe Jesse Lingard. Sipas Mundo Deportivo, dy sulmuesit e “Djajëve të Kuq” përmbushin jo vetëm kërkesat e trajnerit Xavi, por dhe ato financiare të klubit, duke qënë se Barcelona është në vështirësi serioze në këtë aspekt.

Uruguaiani Cavani është aktivizuar në vetëm 5 takime në Premier League këtë sezon. Kjo pasi që prej ardhjes së Cristiano Ronaldos në ekip, ekuilibrat e sulmit kanë ndryshuar ndjeshëm tek anglezët. Edinson e sheh Barcelonën si një ekip që do t’i ofrojë më shumë minuta lojë, duke marrë parasysh dhe problemet shëndetësore të Sergio Aguero. Luke de Jong gjithashtu duket se nuk është në preferencat e Xavi. Ky i fundit mund t’i besojë sulmuesit një vend titullari në sulmin e Barcelonës, por sipas të gjitha gjasave nuk do t’i japë hollandezit përgjegjësitë kryesore në repartin ofensiv.

Situata e Lingard është pak a shumë e njejtë me atë të Cavanit. Lojtarit i janë ofruar akoma më pak mundësi tek Manchester United, që prej rikthimit nga aventura e tij me West Ham. Sulmuesi përflitet se mund të rikthehet te këta të fundit, por Barcelona ka besim se mund të ndërhyjë në këtë mes, duke i mbushur mendjen Lingard që të transferohet në Katalonjë.

Hakim Ziyech dhe Timo Werner janë 2 alternativa të tjera, por për momentin, vëmendja e spanjollëve është përqëndruar më shumë tek futbollistët e United. Kjo pasi 2 lojtarët e Chelsea jo vetëm që do t’i kushtonin më shumë spanjollëve, por në të njejtën kohë, trajneri Thomas Tuchel nuk dëshiron largimin e tyre.

Lojtarë të tjerë që thuhet se janë në radarin e spanjollëve janë Dani Olmo i RB Leipzig, sulmuesi i RB Salzburg, Karim Adeyemi, golashënuesi i River Plate, Julian Alvarez dhe sulmuesi i Baselit, Arthur Cabral.

Një tjetër emër interesant që ka kapur vëmendjen e Barcelonës, është lojtari i ri i Tottenham, Bryan Gil. Ky i fundit u bë pjesë e londinezëve verën e kaluar, por duke qënë se nuk ka pasur imapkt të madh tek Spursat në pjesën e parë të sezonit, Barca mund të tentojë afrimin e tij në formë huazimi. 20 vjeçari zotëron kualitetet e duhura sulmuese që i përshtaten katalanasve.

Ekipi i drejtuar nga Xavi mban vendin e 7 në La Liga, pas 13 javëve të para, ku kanë siguruar vetëm 5 fitore. Në të njejtën kohë, spanjollët janë në rrezik serioz për t’u eleminuar nga Champions League në fazën në grupe, për herë të parë pas 20 vitesh. Barazimi pa gola ndaj Benfica-s do të thotë se nëse portugezët fitojnë në ndeshjen e fundit në grup përballë Dynamo Kiev, Barcelona do të duhet të fitojë ndaj Bayern Munich në Gjermani për të arritur kualifikimin.

Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll