Connect with us

Futboll

Merkato – Antonio Rudiger mes Chelsea dhe Real Madrid

Antonio Rudiger

Telenovela “Antonio Rudiger” duket se është ende shumë larg përfundimit. Chelsea është duke përgatitur një propozim të ri rinovimi për mbrojtësin, për të cilin interesohen Real Madrid dhe Juventus. Klubi londinez që zotëron kartonin e Rudiger, nuk ka ndërmend të dorëzohet përpara presionit të ekipeve rivale.

Rudiger ka refuzuar ofertën e parë financiare prej 140,000 paundësh në javë, duke qënë i ndërgjegjshëm se mund të përfitojë një kontratë më të majme, nëse largohet me kosto zero nga Chelsea në verë. Por performancat e fundit të Rudiger kanë bindur dhe një herë tjetër trajnerin Tuchel për rëndësinë e lojtarit të tij në ekip. Për këtë arsye, blutë e Londrës po rrisin përpjekjet për të mbajtur mbrojtësin në skuadër.

Burime pranë klubit bëjnë me dije se Rudiger ka sjellë në vëmendje kontratën e shokut të tij të skuadrës, Romelu Lukaku, i cili përfiton rreth 300,000 paundë në javë, pas transferimit për shifrën rekord prej 97 milionë paundësh në Stamford Bridge. Por sipas të gjitha gjasave, Chelsea nuk ka për t’i dhuruar atë lloj shume Lukakut.

Mbrojtësi i bluve, Malang Sarr, komentoi rëndësinë që shoku i tij i skuadrës ka në skuadër. Ai tha:

“Ai (Rudiger) është i jashtëzakonshëm, si brenda ashtu dhe jashtë fushe. Kur e shikon në lojë ai është gjithmonë duke dhënë maksimumin e tij, dhe duke i dhënë energji shokëve të tij të skuadrës. Mund ta shohësh se sa influencë të madhe ka. Rudiger nuk është thjesht një lojtar i fortë fizikisht, ai është shumë i mirë me topin dhe gjithmonë mundohet të ndihmojë skuadrën. Ai nxjerr më të mirën e të gjithëve.”

Lajmi i mirë për tifozët e Chelsea është fakti se trajneri Tuchel është shfaqur i bindur se Rudiger do të firmosë një kontratë të re me ekipin. Gjermani tha:

“Jemi konfidentë se mund t’i ofrojmë atij një kontratë afatgjatë. Kemi shumë gjëra për të ofruar, ai po mban veshur fanellën e Chelsea dhe ndodhet në mjedisin e këtij klubi. Besoj se Rudiger e di këtë gjë mjaft mirë.”

Por çfarë ka thënë Rudiger mbi të ardhmen e tij? Në intervistën e tij të fundit për mediat futbollisti u shpreh se nuk mendon shumë mbi destinacionin e rradhës, dhe po mundohet të shijojë momentin:

“Po e shijoj. Unë e perceptoj udhëtimin të ndarë në kapituj, dhe po e shijoj këtë kapitull. Deri më tani kjo ka qënë pjesa më e bukur e karrierës time. Ka shumë ndeshje dhe kalendari po bëhet gjithnjë e më i ngjeshur, prandaj do të përqëndrohem aty.”

Ish-futbollisti anglez, Jamie Redknapp, është i mendimit se Chelsea duhet të bëjë gjithçka ka në dorë, për të mos humbur shërbimet e Rudiger. Sipas Redknapp, në qoftë se mbrojtësi që aktivizohet me kombëtaren gjermane largohet, londinezët janë të detyruar të gjejnë një zëvëndësues të të njejtit kalibër, që mund të kushtojë 40-50 milionë paundë. Duke llogaritur më pas dhe pagat e lojtarit, duket se zgjidhja më e lehtë për Chelsea është të bindë Rudiger të qëndrojë, duke plotësuar kërkesat financiare të tij.

Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll