Connect with us

Futboll

Mbappe shënon golin e fitores, Franca triumfon në Nations League

mbappe

Një gol i diskutueshëm i Kylian Mbappe i dhuroi Francës fitoren, në finalen e Nations League përballë Spanjës. Francezët bëhen kështu fituesit e dytë të Nations League, pas Portugalisë që ngriti kupën në edicionin e parë të këtij kompeticioni të ri.

Ishin në fakt spanjollët që gjetën rrjetën të parët, me të talentuarin Mikel Oyarzabal. Anësori ia doli të kalonte mbrojtësin Dayot Upamecano, për të mposhtur më pas me një goditje të bukur gardianin e portës së francezëve, Hugo Lloris. Por gëzimi zgjati shumë pak për spanjollët. Ishte Karim Benzema që 2 minuta më vonë, me një super goditje të harkuar me të djathtën, mposhti portierin Unai Simon, duke rikthyer barazpeshën në fushë.

Në vijim të takimit, “gjelat” u shfaqën më kërkues, dhe përpjekjet e tyre u shpërblyen në minutën e 80’ të takimit. Superstari i PSG rrëshqiti topin poshtë trupit të Simon, duke i dhuruar francezëve golin e fitores. Gjithsesi, ky rezultoi të ishte një moment shumë i diskutuar.

Mbappe ishte qartësisht në pozicion jashtë loje në momentin që Theo Hernandez dha pasën fillestare. Protestat e lojtarëve të Spanjës ishin të menjëhershme, por gjyqtari duket se e kishte shpjegimin e tij. Mbrojtësi spanjoll Eric Garcia, preku topin në përpjekje për ta larguar, përpara se ai të vinte te Mbappe. 

Sipas rregullave më të fundit të FIFA, në këtë rast, aksioni nuk konsiderohet një pozicion jashtë loje:

“Një lojtar në pozicion jashtë loje që merr topin nga një kundërshtar i cili qëllimisht luan topin … nuk konsiderohet se ka fituar një avantazh”

Eric Garcia u shpreh se nuk ishte dakord me vendimin e gjyqtarit:

“Ishte qartësisht jashtë loje. Arbitri më tha se u përpoqa të pasoja topin. Çfarë të bëja? T’i hapja rrugë dhe të lija atë (Mbappe) të vraponte? Mesa duket ky është rregulli.”

Por pavarësisht golit të diskutuar, Franca e meritoi fitoren, pasi tregoi vendosmëri përgjatë gjithë takimit në fushën e blertë. Në minutat finale, portieri Hugo Lloris u detyrua të ndalte dy përpjekje serioze të spanjollëve, në mënyrë që fitorja të mos i shpëtonte nga duart të besuarëve të Deschamps. Fillimisht Lloris ndali Oyarzabal, para se të stoponte në mënyrë akrobatike përpjekjen e Yeremi Pino në kohën shtesë.

Francezët fituan me përmbysje takimin, njësoj siç bënë në gjysmëfinale përballë Belgjikës. Ekipi i Deschamps u gjend në disavantazh 2-0, përpara se të shënonte 3 gola të cilët ndryshuan në mënyrë spektakolare rrjedhën e lojës.

Megjithëse përballë Spanjës, Franca kishte vetëm 36% të zotërimit të topit përgjatë takimit, ata ishin vazhdimisht një rrezik serioz në kundërsulm, sidomos me Mbappe. Duke qenë se mbajtja e topit është veçoria kryesore e lojës së spanjollëve, kjo statistikë nuk ishte aspak surprizuese.

Pas takimit, Karim Benzema ndau me mediat se sa e rëndësishme ishte për të, fitimi i një trofeu me kombëtaren. Futbollisti u shpreh për kanalin francez M6:

“Doja vërtet shumë të fitoja një trofe me Francën, dhe tani ia dola. Treguam karakterin tonë, kjo skuadër është shumë e fortë, nuk dorëzohet asnjëherë. Këtë gjë e kemi provuar sot.” 

Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll