Connect with us

Futboll

Epoka Hansi Flick – Trajneri që po i rikthen përsëri besimin kombëtares gjermane

Hansi Flick

Përpara 6 muajsh, kombëtarja gjermane vuajti një nga disfatat më turpëruese në historinë e saj, teksa u mund 2-1 nga modestët e Maqedonisë së Veriut. Humbja ishte shokuese për gjermanët, të cilët rikonfirmuan se përfaqësuesja e tyre është tashmë në krizë, që prej eleminimit në fazën e grupeve nga Botërori 2018. Pavarësisht kësaj, gjërat kanë ndryshuar në javët e fundit. Gjermanët kanë një arsye për të qënë optimist, dhe kjo lidhet me emrin e Hansi Flick.

Iah-trajneri i Gjermanisë, Joachim Low, njoftoi se do të hiqte dorë nga drejtimi i përfaqësueses, pas Euro 2020. Kjo gjë ndodhi ashtu siç ishte parashikuar, dhe në krye të kombëtares erdhi Hansi Flick. Ky i fundit drejtoi Bayern Munich për 18 muaj, dhe në krye të përfaqësueses gjermane, ka aplikuar të njejtën “filozofi bavareze”, që ka rezultuar shumë e suksesshme në të kaluarën.

Nën drejtimin e Flick, “Die Mannschaft” ka fituar 4 nga 4 përballjet e vlefshme për kualifikueset e Botërorit të Katarit. Gjithashtu, gjermanët ia kanë dalë të mbajnë të paprekur portën e tyre në 3 prej këtyre takimeve. Hansi Flick ia ka dalë të korrigjojë me sukses, gati të gjitha problemet që Gjermania e viteve të fundit ka shfaqur, nën drejtimin e Low.

Përpara ardhjes së Flick, “panzerat” regjistronin zotërim të lartë të topit, gati në çdo takim. Por lëvizja drejt portës së kundërshtarit ishte e ngadaltë. Aksionet e gjermanëve nuk kishin brenda tyre elementin e rëndësishëm të befasisë. Kjo gjë vihej re dhe në momentet kur skuadrës i jepej mundësia të kundërsulmonte. Gjithashtu, lojtarët gjermanë nuk bënin presion sa duhej për të rimarrë topin, kur e humbisnin atë.

Por Flick duket se ka aplikuar një strategji komplet tjetër te kombëtarja e tij. Në 4 ndeshjet e fundit kualifikuese, gjermanët kanë adaptuar një stil loje më dinamik, me ritëm të lartë, dhe progresiv përgjatë gjithë takimit. Presioni mbi kundërshtarin në fushë gjithashtu është përmirësuar, dhe si pasojë, ekipi e ka patur më të lehtë të imponojë lojën e tij te kundërshtari.

Një tjetër faktor që e bën Flick një trajner të veçantë, është fakti se gjermani mban kontakte të vazhdueshme me Thomas Tuchel, Pep Guardiolën dhe teknikun e Paris St-Germain’s Mauricio Pochettino. Kjo pasi shumë lojtarë gjermanë aktivizohen me Chelsea, Manchester City dhe PSG. Flick kërkon që të jetë gjatë gjithë kohës i informuar mbi yjet e tij, për të bërë zgjedhjet më të përshtatshme më pas në fushën e blertë. 

Një rast konkret, ishte ndryshimi i pozicionit të Leroy Sane në fushën e lojës, nga krahu i djathtë në të majtë. Përpara se të merrte këtë vendim, trajneri i kombëtares gjermane u konsultua me Julian Nagelsmann, numrin 1 të pankinës së Bayern. Pasi mori dhe mendimin pozitiv të këtij të fundit, Flick konkretizoi lëvizjen në fushën e blertë, e cila rezultoi mjaft e suksesshme.

Krijimi i raporteve miqësore me kolegët e tij, ia bën Flick më të lehtë situatën dhe në rastet e grumbullimeve, për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes klubeve dhe kombëtares.

Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll