Connect with us

Futboll

Manchester United – Pogba shumë pranë largimit, ja destinacioni i ardhshëm i francezit

Paul Pogba

Paul Pogba mund të ketë luajtur lojën e tij të fundit për United. Ky ka qënë pretendimi i analistit sportiv, dhe ish-futbollistit të njohur të Leeds, Paddy Kenny. Ky i fundit është mbështetur për analizën e tij, tek komentet e trajnerit Ralf Rangnick në fundjavë. Trajneri gjerman tha se nuk ka ndërmend t’i mbushë mendjen Pogba, për të qëndruar tek United në planin afatagjatë.

Tekniku ishte i qartë në mesazhin e tij drejtuar Pogba:

“Manchester United është një klub i madh. Nuk mendoj se ka lojtar që duhet të bindet për një kohë të gjatë, për të qëndruar këtu.”

Ndërkohë në të njejtën ditë me deklaratat, gazetari i njohur sportiv Fabrizio Romano, bëri me dije se ekziston ende një propozim për rinovim kontrate nga ana e United. Duket se alternativa është e vlefshme, por mesfushori është ende skeptik për ta pranuar atë. Kujtojmë se kontrata aktuale e Pogba me “Djajtë e Kuq”, skadon në fund të sezonit.

Analisti Paddy Kenny parashtroi argumentat e tij, për të mbrojtur idenë se futbollisti i kombëtares franceze, do të largohet në janar:

“Nëse ai nuk nënshkruan një kontratë të re dhe nuk është i përkushtuar, përse duhet që të jetë titullar? Sipas mendimit tim, ka vetëm një përfundim. Ai (Pogba) do të rikthehet nga dëmtimi për disa javë. Nëse nuk firmos marrëveshjen e re, nuk është më pjesë e United. Në këtë pikë, klubi do të fitojë para nga kartoni i tij, dhe nuk mund të rrezikojë. Personalisht mendoj se Pogba nuk do të firmosë propozimin e ri. Ai është i prirur të kthehet në Francë apo Itali. Kjo gjë do t’i jepte gjithashtu mundësinë United që të afronte në klub, një futbollist që ka dëshirë të luajë në Old Trafford.”

Pogba ka zhvilluar 13 paraqitje me United këtë sezon, duke regjistruar 7 asiste por asnjë gol. Cilësitë dhe talenti i futbollistit nuk mund të vihen në dyshim, duke qënë se francezi ka performuar gjithmonë në një nivel të lartë për ekipin e tij. Por kur vjen fjala tek paraqitjet e tij me United, gjithmonë ka pasur zëra nga kritikët se mesfushori mund të performojë më mirë.

Një tjetër faktor që mund të ndikojë në largimin e futbollistit nga Manchester, është dhe moduli i ri i lojës së Ralf Rangnick. Që në javën e tij të parë në krye të klubit, gjermani bëri një deklaratë mjaft domethënëse, kur tha se qëllimi i tij është të kthejë lojtarët në “bisha presingu”.

Ky ishte një lajm negativ për Paul Pogba, i cili njësoj si Cristiano Ronaldo, nuk ishte mësuar të luante në një ekip që ushtron presion të lartë tek kundërshtari, kur nuk ka nën kontroll topin. Ndryshimi në stilin e lojës mund të ketë qënë dhe një nga arsyet e dëmtimit të Pogba, i cili është cilësuar shpesh herë si “përtac” në lojën e tij nga shumë analistë sportivë.

Duke marrë parasysh vendosmërinë e Rangnick, e vetmja mënyrë që mesfushori francez të vazhdojë të jetë pjesë e United, është që të tregojë vendosmëri dhe dëshirë për të luftuar për vendin e titullarit në ekip.

Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll