Connect with us

Futboll

Manchester United – Erik Ten Hag pasuesi potencial i Ralf Rangnick

Erik Ten Hag

Trajneri i hollandezëve të Ajax, Erik ten Hag, është tekniku që kryeson garën për stolin e Manchester United, kur Ralf Rangnick të mbyllë detyrën e tij 6 mujore me klubin. Emri i hollandezit është linkuar disa herë me “Djajtë e Kuq” dhe në të kaluarën, por tani ai duket se është kandidati kryesor për të marrë drejtimin e ekipit në fund të sezonit.

Ajaxi i Ten Hag konfirmoi vendin e vet, në kompeticionin më elitar të klubeve europiane, Champions League. Hollandezët siguruan kualifikimin për në fazën me eleminim direkt, duke fituar të gjashta përballjet në grup. Arritja është akoma më domethënëse për trajnerin Ten Hag, kur kujtojmë se grupi përbëhej nga Borussia Dortmund, Sporting Lisbon dhe Besiktas, të gjithë kundërshtarë mjaft të fortë. Kjo ishte hera e parë në historinë e tyre, që gjigantët holandezë fituan të gjitha ndeshjet e grupit.

Ndërkohë në kampionat, Ajax kryeson renditjen, dhe është në rrugën e duhur për të fituar titullin e tretë kampion rradhazi në Eredivisie. Të gjitha këto arritje po bindin gjithnjë e më shumë drejtuesit e United se Ten Hag është njeriu i duhur për t’i rikthyer klubit lavdinë e dikurshme. Por ajo që i ka shtyrë anglezët të rrisin interesin e tyre mbi trajnerin kanë qënë pikërisht deklaratat e fundit të Ten Hag.

Tekniku komentoi në mesjavë se është duke kërkuar një sfidë të re, duke i hapur kështu derën një oferte të mundshme nga gjigandët anglezë. Ishte pikërisht Ten Hag njeriu që zhvilloi në ekipin e tij talente si: Hakim Ziyech, Frenkie de Jong, Matthijs de Ligt dhe Donny van de Beek, përpara se Ajax t’i shiste këta lojtarë për shuma të mëdha parash në klubet “big” të Europës. Ndërkohë tekniku ka bërë të njejtën gjë edhe sezonin aktual. Ajax e ka ngritur modelin e lojës së vet mbi lojtarë të rinj si Ryan Gravenberch, Jurrien Timber, Noussair Mazraoui dhe Devyne Rensch.

Kjo mënyrë e të menduarit është pikërisht ajo që i duhet United, që kërkon të ngrejë një brez të ri lojtarësh, të cilët në kombinim me veteranë si Cristiano Ronaldo, do të rikthejnë ekipin në majat e Europës.

Por në të njejtën kohë, trajneri hollandez ka dhe një aftësi tjetër. Ten Hag është mjaft i zoti që të nxjerrë maksimumin e lojtarëve të cilët nuk ia kanë dalë dot në Premier League. Këtu mund të përmendim emra si: Sebastien Haller, Daley Blind, Davy Klaassen, Steven Berghuis, Dusan Tadic dhe Maarten Stekelenburg. Të gjithë këta lojtarë po kalojnë një formë fantastike në Hollandë, dhe kjo falë udhëzimeve të duhura të trajnerit.

Këtë gjë e ka pranuar dhe vet sulmuesi i Ajax, Sébastien Haller. Ky i fundit ishte pjesë e West Ham në Angli, ku shënoi vetëm 14 gola në 54 paraqitje. Vitin e kaluar ai iu bashkua hollandezëve për 20 milionë paundë, dhe këtë sezon ka shënuar 18 gola në 19 takime. Sulmuesi u shpreh:

“Formën time të mirë ia detyroj Ten Hag. Ai është një nga trajnerët më të mirë në botë”

Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll