Connect with us

Futboll

Liverpool – Klopp me sytë nga superstari i Juventus

Paulo Dybala

Liverpool është vetëm 1 nga ekipet e Premier League që kanë shprehur interesin e tyre për asin argjentinas të Juventus, Paulo Dybala. Kontrata e këtij të fundit skadon në fund të sezonit dhe Jurgen Klopp po studion mundësinë e transferimit me kosto zero në Anfield. Për më shumë, sipas raportimeve në Itali, agjenti i Dybala i ka ofruar disa herë “The Reds”, shërbimet e lojtarit.

Por cili është raporti i sulmuesit me “Zonjën e Vjetër”? Në momentet që flasim negociatat mes tij dhe klubit për një rinovim të mundshëm kontrate janë ndalur. Pavarësisht një marrëveshjeje verbale mes palëve para krishtlindjeve, Juventus ndryshoi disa terma të kontratës, gjë që solli dhe refuzimin e saj nga ana e Dybala. Kjo i ka hapur rrugën dhe klubeve të tjera për të parë mundësinë e transferimit të ish-yllit të Palermos.

Megjithëse 28 vjeçari është padyshim një nga lojtarët më të talentuar në Serie A, shumë analistë sportivë kanë argumentuar se transferimi i tij tek Liverpool mund të jetë një lëvizje e gabuar nga ana e trajnerit Klopp. Arsyeja kryesore është ajo financiare.

Pavarësisht faktit se Dybala mund të transferohet në Anfield me kosto zero në verë, gjithçka pritet të zëvëndësohet nga kostoja e pagës së tij. Duke marrë parasysh se disa prej klubeve më elitare do të jenë në garë për kartonin e sulmuesit, ka shumë gjasa që transferimi i tij të kthehet në një ankand të vërtetë. Ky është një problem potencial për Liverpool, që nuk ka në dispozicion të njejtat financa si Manchester City apo Paris Saint-Germain.

Në të njejtën kohë, Liverpool përballet me një tjetër sfidë, rinovimi me Mohamed Salah. Egjiptiani e ka bërë të qartë se dëshiron që të vazhdojë të luajë për “The Reds”, madje ka shkuar dhe më tej duke deklaruar se dëshiron të mbyllë karrierën e tij në Anfield. Por kjo nuk do të thotë se sulmuesi nuk do të negociojë për një pagë më të mirë. Salah ka qënë padyshim ndër lojtarët më të rëndësishëm për Liverpool gjatë këtij sezoni. Kjo mund të vërë në vështirësi trajnerin Klopp, i cili mund të heqë dorë nga Dybala për të rinovuar me asin e tij egjiptian.

Përveç aspektit financiar, një tjetër problem që mund të vijë nga afrimi i Dybala në Anfield është numri i madh i sulmuesëve në ekipin e Klopp.  Sadio Mane, Roberto Firmino, Diogo Jota, Takumi Minamino, Divock Origi dhe afrimi i ri Luis Diaz, janë lojtarë ofensivë që të gjithë kërkojnë një vend si titullar. 

Ndërkohë për tu diskutuar është dhe vet forma e Dybala. Argjentinasi mbetet një nga lojtarët më të mirë në Itali, por në këtë moment nuk është më futbollisti që mahniti Serie A para 5 apo 6 sezonesh. Sezonin e kaluar ai shënoi vetëm 4 gola në kampionat dhe shkak kryesor ishin dëmtimet. Megjithëse është provuar disa herë se Jurgen Klopp është i aftë të nxjerrë më të mirën e sulmuesëve të tij, në rastin e transferimit potencial të Dybala në Anfield, fati do të ketë ndikimin e tij në përshtatjen e argjentinasit në Angli.

Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll