Connect with us

Futboll

Liverpool kërkon Gavin – Ja oferta financiare e Klopp për spanjollin

gavi

Sipas El Nacional, Liverpool është gati t’i ofrojë Gavit, 50 herë më shumë të ardhura në javë se sa spanjolli fiton aktualisht tek Barcelona, për të joshur talentin e katalanasve drejt një transferimi në Anfield. 17 vjeçari ka kapur vëmendjen e gjigandëve europianë të futbollit, dhe Liverpool është vetëm 1 prej tyre, me trajnerin Jurgen Klopp që kërkon me ngulm shërbimet e lojtarit të dalë nga La Masia.

“The Reds” janë gati t’i ofrojnë mesfushorit rreth 80,000 paundë në javë, një kontratë kjo mjaft e mirë në terma financiarë, duke marrë parasysh marrëveshjen aktuale që futbollisti ka me Barcelonën. Sipas burimeve në Spanjë, Gavi thuhet se fiton vetëm 1600 paundë në javë në Camp Nou.

Mesfushori, i cili thuhet se e sheh të ardhmen e tij në Spanjë, ka një klauzolë lirimi relativisht të ulët, prej 41.7 milionë paundësh, dhe me Barçën që i duhen fondet, klubi mund të jetë i detyruar të heqë dorë nga Gavi, për të përfituar nga ana financiare. Gjithashtu, regjistrimi i Ferran Torres në Camp Nou është ende në pritje, për të njejtën arsye, vështirësitë financiare të klubit. Pavarësisht se Phillipe Coutinho iu bashkua Aston Villas, duke liruar hapësirat financiare të Barçës, duket se katalanasit ende nuk kanë kushtet e duhura për të regjistruar me sukses lojtarë të rinj.

Gavi iu bashkua akademisë së të rinjve të Barcelonës në vitin 2015, në moshën 11-vjeçare dhe nënshkroi kontratën e parë profesionale me klubin në shtator 2020, përpara se të bënte debutimin e tij për Barcelonën B. Pas promovimit të tij në ekipin e parë, në vitin 2021, ai luajti për herë të parë me kombëtaren spanjolle, një arritje kjo e jashtëzakonshme duke marrë parasysh moshën e lojtarit.

Liverpool ka nevojë për përforcime, pasi kërkon të ruajë ritmin e kryesuesëve të Premier League, Manchester City, të cilët kanë grumbulluar momentalisht, 11 pikë më shumë se skuadra e Klopp.

Plani afatgjatë i gjermanit po merr formë, teksa 18-vjeçari Harvey Elliott, mesfushori qendror Tyler Morton, 18 vjeç dhe mbrojtësit e krahut Conor Bradley, 17 vjeç dhe Owen Beck, 19 vjeç, kanë debutuar të gjithë në kompeticione elitare. Shtimi i Gavit në skuadër, mund të shihet potencialisht si një shtyllë lidhëse për planet e ardhshme të Klopp, i cili duket se ka nisur në qetësi, procesin e “rinovimit” tek Liverpool.

Por nëse Liverpool dëshiron shërbimet e Gavi, anglezët duhet të veprojnë shpejt. Nëse lojtari firmos një kontratë të re me katalanasit, presidenti Laporta do të ndjekë të njejtën skemë që ka ndjekur dhe më parë, duke rritur në mënyrë stratosferike klauzolën për prishjen e kontratës së mesfushorit. Sipas raportimeve në Spanjë, në rastin e një kontrate të re, klauzola e Gavi do të ishte në shifrën e 500 milionë eurove, gjë që do ta bënte praktikisht të pamundur transferimin e tij tek Liverpool, apo çdo klub tjetër.

Trajneri i Barcelonës, Xavi, thuhet se kërkon dëshpërimisht të mbajë mesfushorin në skuadër, por për ta bërë këtë, tekniku duhet t’i paraqesë Gavit një projekt fitues.

Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll