Connect with us

Futboll

Liverpool – Habit Jurgen Klopp: Nuk nënshkruajmë me lojtarë të pavaksinuar

klopp

Trajneri i Liverpool, Jurgen Klopp, ka bërë me dije se “The Reds” nuk do të nënshkruajnë me lojtarë të pavaksinuar, gjatë merkatos së janarit në muajin e ardhshëm. Kjo pasi sipas gjermanit, ata përfaqësojnë një kërcënim të madh për pjesën tjetër të skuadrës. Tekniku ka marrë shkas për deklaratën e tij nga situata e vështirë që ka kapur së fundmi, gati të gjitha ekipet e Premier League. Rastet pozitive me Covid 19 janë shtuar ndjeshëm në kampionatin anglez, ndërkohë që të gjithë lojtarët e Liverpool, i kanë marrë tashmë të dyja dozat e vaksinës anti-covid.

Me rastet e Covid në rritje, në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, për shkak të variantit Omicron, Klopp ka përsëritur dhe një herë qëndrimin e tij në lidhje me vaksinën. Trajneri gjerman deklaroi për mediat:

“Ne nuk jemi afër nënshkrimit me ndonjë lojtar të caktuar, por në qoftë se arrijmë në atë pikë po, vaksina do të ishte me ndikim, padyshim. Nëse një lojtar nuk vaksinohet, ai është një kërcënim i vazhdueshëm për të gjithë ne. Kuptohet se nuk është dëshira e tij që të jetë një kërcënim, sigurisht. Por ai është dhe ne duhet të mendojmë për skenarë të tjerë.”

Klopp shtjelloi më tej arsyetimin e tij:

“Ai (lojtari i pavaksinuar) duhet të ndërrohet në një tjetër dhomë zhveshjeje, duhet të hajë në një tavolinë tjetër, duhet të ulet në një autobus tjetër, duhet të ngasë një makinë tjetër etj. Nga pikëpamja organizative, gjithçka bëhet shumë e vështirë. Nëse vërtet duhet të respektojmë protokollet, është tepër e vështirë për ta bërë. Nëse një lojtar rezulton pozitiv me Covid, dhe ai ka qenë në katër ditët e fundit rreth ekipit, atëherë ai duhet të vendoset në izolim. Në rastet kur lojtarët duhet të udhëtojmë, nga një shtet tek tjetri, për të përfaqësuar kombëtaren e tyre, rregullorja është përsëri e komplikuar.”

Trajneri gjerman u pyet për shqetësimet e shprehura nga ana e tij, në prag të ndeshjes së Liverpool do të zhvillojë ndaj Shrewsbury e vlefshme për FA Cup. Sipas raportimeve më të fundit, 25% e lojtarëve të ligës EFL, ku bën pjesë dhe Shrewsbury, nuk janë të vaksinuar dhe nuk mendojnë të vaksinohen. Por ky nuk është shqetësimi më i madh për Klopp. Numri 1 i pankinës së “The Reds” i “trembet” një përballjeje në transfertë, në një vend ku rregullorja anti-covid nuk respektohet siç duhet.

Trajneri shtoi:

“U përballëm me këtë situatë dhe vitin e kaluar. Kemi luajtur dhe më parë në transfertë, në këto kushte dhe nuk mendoj se kanë ndryshuar shumë gjëra prej atëherë. Kur luajmë në një ndeshje të FA Cup në transfertë, duhet të ndërrohemi në dhoma zhveshjesh që janë të vogla. Ka shumë vështirësi të këtij lloji. Duhet të mendojmë vazhdimisht për gjëra të tjera që nuk kanë të bëjnë me futbollin.”

Klopp deklaroi me nota humori se e gjithë kjo situatë është e vështirë për Liverpool, duke qënë se lojtarët e tij kanë mjaftueshëm “futboll” për të menduar, në mendjet e tyre.

Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll