Connect with us

Futboll

Kupa e Botës 1 herë në 2 vjet – Wenger nuk heq dorë nga ideja e tij

Arsene Wenger

Ish-trajneri i Arsenal, Arsene Wenger, ka thënë se është gati të rrezikojë për të vënë në jetë propozimin e tij mbi kalendarin futbollistik. Ideja e francezit përfshin zhvillimin e Kupës së Botës 1 herë në 2 vjet, dhe më pak fushata kualifikuese për kombëtaret. Në një intervistë ekskluzive për BBC, ish-tekniku ka mbrojtur me argumenta idenë e tij inovatore:

“I gjithë ky risk është për të përmirësuar futbollin, dhe unë jam i gatshëm ta ndërmarr atë. Struktura momentale e sezonit futbollistik nuk ofron qartësi, pastërti dhe një mënyrë moderne të organizimit të ndeshjeve. Nëse vazhdojmë kështu do të “përplasemi pas murit” shumë shpejt. Ajo që i dëmton vërtet lojtarët janë udhëtimet e vazhdueshme dhe fluturimet. Duke shkurtuar kualifikueset për kompeticionet ndërkombëtare, mendoj se përfitojnë klubet, përfitojnë lojtarët.”

Sipas një anketimi të FIFA, një grupim i caktuar fansash, ishin dakord me idenë e zhvillimit të Kupës së Botës më shpesh. Gjithsesi, shumica e audiencës së përgjithshme ishte në favor të ruajtjes së status-kuosë.

Ndër të tjera, Wenger u pyet nëse ideja e tij rrezikonte prestigjin e Kupës së Botës. Kjo pyetje lindi natyrshëm që kur ideja u bë për herë të parë publike, por për Wenger, ky nuk është një shqetësim real. Francezi u përgjigj:

“Botërori është një eveniment kaq i madh. Nuk mendoj se kjo gjë do ta rrezikonte prestigjin e tij. Nëse ke dëshirë të jesh më i miri në botë, pse të mos jesh më i miri për çdo vit.”

Ish-tekniku i Arsenal tha se për të, ky diskutim nuk ka të bëjë fare me egon e tij personale. Ai u përgjigj se i është kërkuar ndihma për të rikonceptuar kalendarin futbollistik, dhe për këtë gjë po konsultohet me shumë njerëz. Ideja e Wenger ka shkaktuar shumë reagime mes fansave, shumica e të cilave kanë qënë dhe emocionale. Por, përgjigja negative që peshon më shumë është ajo e UEFA. Qeveria europiane e futbollit ka deklaruar se planet e propozuara krijojnë një rrezik potencial për sportin e futbollit. Gjithashtu, UEFA akuzoi FIFA-n për mungesë komunikimi në ndërmarrjen e propozimeve të reja.

Wenger ndërkohë u shfaq jo shumë i interesuar në lidhje me debatin mes 2 institucioneve:

“Kam besim te ideja ime, por nuk e di se cilat janë forcat që e mbështesin dhe ato që nuk e mbështesin. Unë thjesht jap propozimin tim, pasi mendoj se është në të mirë të lojës. Kam qenë për një kohë të gjatë trajner i Arsenal, dhe gjithmonë e kam ndier se ndarja mes kompeticioneve të klubeve dhe atyre të kombëtareve nuk është një gjë e mirë”

Duke argumentuar dhe një herë qëndrimin e tij, Wenger u mundua të qartësojë se i kupton dhe reagimet e ashpra që ka marrë për propozimin e bërë:

Pas propozimit ka pasur dhe reagime emocionale. Nuk jam i surprizuar. Shumë persona që ishin totalisht kundër idesë time, ndryshuan mendim pasi e lexuan të plotë atë. Koncepti i zhvillimit të Kupës së Botës 1 herë në 2 vjet mund të kuptohet vetëm nëse propozimi lexohet i plotë.”

Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll