Connect with us

Futboll

Juventus i ofron Chelsea Matthijs de Light, Arsenal hyn në garë për Sergi Roberto

Matthijs de Light

Sipas raportimeve më të fundit të Daily Star, Juventus i ka ofruar Chelsea, shërbimet e mbrojtësit hollandez Matthijs de Light. Italianët po përpiqen të lehtësojnë veten nga barra financiare e pagës së lojtarit, e cila mendohet të jetë rreth 280,000 paundë në javë, një shifër kjo mjaft e lartë. De Light raportohet se është i kënaqur tek “Zonja e Vjetër”, por agjenti i lojtarit, Mino Raiola, tha se mbrojtësi mund të largohet këtë verë nga klubi italian.

Chelsea ndërkohë është mjaft i interesuar që të afrojë një mbrojtës qëndror në ekip. Gjatë merkatos që lamë pas, Tuchel dështoi në tentativën e tij për të sjellë në skuadër Jules Kounde nga Sevilla. Kjo do të thotë se sipas të gjitha gjasave, dyert janë të hapura për De Light në Londër. Sidomos duke marrë parasysh faktin se blutë, ende nuk kanë siguruar një rinovim kontrate me Antonio Rudiger dhe Andreas Christensen, 2 figura kyçe të mbrojtjes, të cilëve u skadon kontrata në fund të sezonit.

Mësohet se Chelsea është aktualisht në bisedime me Mino Raiola, pavarësisht se në të kaluarën, klubi anglez ka shmangur nënshkrimet me lojtarë që përfaqësoheshin nga agjenti i famshëm. Nga ana e tij, Raiola ka biseduar dhe më përfaqësues të Manchester City dhe Barcelonës, por Chelsea mbetet destinacioni kryesor, për një lëvizje të mundshme të De Light.

Ndërkohë Arsenal është gati të “luftojë” me Manchester City, për të siguruar shërbimet e Sergi Roberto të Barcelonës. 29 vjeçari është në vitin e fundit të kontratës së tij në Camp Nou, dhe raportimet në Spanjë sugjerojnë se futbollisti nuk do të pranojë një rinovim kontrate. Arsyeja është dëshira e Roberto për një sfidë të re në karrierën e tij.

Lajmi në fjalë duket se ka kapur menjëherë interesin e Arsenal dhe Manchester City. Këtë sezon, Sergi Roberto ka shënuar 2 gola dhe 1 asist, në 11 paraqitje. Futbollisti ka fituar 6 herë kampionatin në Spanjë dhe 2 herë Champions League-ën. Gjithsesi, marrëdhëniet me tifozët katalanas kanë qënë të tensionuara.

Roberto u largua nga fusha me lot në sy, pasi tifozët në Camp Nou brohoritën kundër tij, në humbjen 3-0 ndaj Bayern Munich në Champions League. Gerard Pique u tregua kritik ndaj fansave, duke thënë se reagimi ndaj Roberto ishte i tepërt:

“Dua t’i kujtoj njerëzve se ai (Roberto) është një mesfushor, jo një lojtar krahu. Ai ka bërë një sacrifice për t’u përshtatur në atë pozicion në fushë. Njerëzit janë të lirë të shprehin opinionin e tyre, por nuk më pëlqejnë fishkëllimat, ato nuk ndihmojnë. Unë e njoh atë person. Ai është një njeri spektakolar, që dëshiron më shumë se kushdo tjetër që ky klub të jetë i suksesshëm. Jam i lënduar nga kjo gjë.” 

Mikel Arteta dhe Pep Guardiola janë të dy të interesuar për shërbimet e lojtarit, dhe arsyeja kryesore është përshtatshmëria e tij në fushën e blertë. Për Arsenal, nënshkrimi me lojtarin është më i domosdoshëm, duke marrë parasysh largimin e mundshëm të Matteo Guendouzi. Duke thënë këtë, londinezët pritet të luftojnë fort për kartonin e spanjollit.

Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll