Connect with us

Futboll

A mund t’i mbijetojë Solskjaer kapitullimit ndaj Liverpool?

Solskjaer

Manchester United pësoi një nga humbjet më të rënda në historinë e vet, teksa u poshtërua me rezultatin 5-0 në Old Trafford nga rivali i tyre historic, Liverpool. Shumë fansa u larguan nga stadiumi në përfundim të pjesës së parë, kur shifrat ishin 4-0 në favor të “The Reds”. Në fund të takimit Solskjaer e përshkroi humbjen si ditën e tij më të errët në krye të Manchester United, por tha se është i vendosur të vazhdojë misionin e tij. Por sa është e mundur kjo gjë?

Ish-sulmuesi i Chelsea dhe Norwich, Chris Sutton, ishte i prerë në qëndrimin e tij. Ai tha për BBC Radio 5 se trajneri duhet të largohet. Ndërkohë Gary Neville, nisur dhe nga miqësia e tij me Solskjaer ishte më i rezervuar me kritikat. Por ish-futbollisti i United gjithashtu pranoi se trajneri do të përballet me një presion të paparë më parë, nëse qëndron në ekip.

Tekniku norvegjez ka qënë në krye të United që prej vitit 2018, por ende nuk ka fituar një trofe me “Djajtë e Kuq”. Periudha e tij në krye të ekipit është karakterizuar nga ulje-ngritje. United shënoi një rekord prej 27 ndeshjesh pa humbje në transfertë, por gjithashtu ka pasur momente mjaft të dobëta, si ai përballë Liverpool. Humbja 6-1 ndaj Tottenham sezonin e kaluar gjithashtu është një prej tyre.

Por disfata 5-0 ndaj ekipit të Jurgen Klopp është shumë më shqetësuese për tifozët e United. Kjo, jo vetëm sepse erdhi ndaj rivalëve të përbetuar, por dhe për shkak të investimeve që klubi ka bërë këtë merkato vere. Afrimet e Raphael Varane dhe Cristiano Ronaldo, vetëm sa i kanë shtuar kualitetin, një skuadre që ka në përbërjen e saj lojtarë klasi. Por mesa duket kjo nuk është mjaftueshëm për numrin 1 të pankinës.

Sutton e komentoi kështu situatën tek United:

“Nuk është se Ole Gunnar Solskjaer nuk i janë dhënë të gjitha armët e nevojshme. Ne i kemi qëndruar në krah Solskjaer, por u bënë tashmë 3 vite që ai është këtu, dhe me afrimet e merkatos verore mendoja se United do të ishte në garë për titullin kampion. Por nuk duket kështu. Ai duhet të largohet patjetër, apo jo?”

Gary Neville ndërkohë tha se United ka prekur fundin, duke u përqëndruar tek simbolika e rëndësishme që paraqet humbja përballë Liverpool:

“Nuk mund të shkojë më keq se kaq. Ne të gjithë kemi humbur ndeshje në mënyrë të keqe. Sir Alex Ferguson humbi 6-1 përballë Manchester Cityt, unë kam humbur 5-0 përballë Newcastle. Janë gjëra që ndodhin, por shqetësuese ishte natyra e performancës. Ata kanë kapitulluar.”

Ish-sulmuesi i Manchester United, Dion Dublin, tha se hierarkia drejtuese e klubit duhet të marrë disa vendime të vështira:

“A do të vazhdojnë me Ole? Le të diskutojmë. E kuptoj se është e vështirë për ta (bordin) pasi ai (Solskjaer) është një legjendë e klubit, por nuk është kjo çështja. Në momentin që flasim gjërat nuk po shkojnë mirë në fushën e blertë për United. Nuk e di se çfarë do të thotë Solskjaer, apo se çfarë do të thotë bordi. Por e di shumë mirë se çfarë po thonë fansat.”

Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll