Connect with us

Futboll

Flet ish-sulmuesi i Chelsea: Ja pse londinezët do të fitojnë Premier League

Chris Sutton

Ish-sulmuesi i Chelsea, Chris Sutton, beson fort se të besuarit e Tuchel do të triumfojnë këtë sezon në Premier League. Fitorja 7-0 përballë Norwich në fundjavë ishte mjaft domethënëse, pavarësisht se erdhi përballë skuadrës më të dobët të momentit në kampionat. Mason Mount shënoi një tripletë, dhe golat e tjerë nga Callum Hudson-Odoi, Reece James, Ben Chilwell dhe Max Aarons përmbyllën një paraqitje fantastike. Por çfarë e diferencon Chelsea nga ekipet e tjera “big” në Premier, si Liverpool, Manchester City apo United?

Sutton bëri analizën e tij për BT Sport:

“Kjo është arsyeja se përse besoj se Chelsea do të fitojë Premier League. Skuadra e tyre është kaq e fortë dhe lojtarët e akademisë po shkëlqejnë. Performanca përballë Norwich ishte ekselente. Mendoj se mentaliteti i tyre është i shkëlqyer, dhe kanë një skuadër të denjë për të konkurruar në të gjitha kompeticionet.”

Mount nuk kishte shënuar për Chelsea që prej gjysmëfinales përballë Real Madrid në Champions League, në muajin maj. Rikthimi i tij tek goli ishte një çlirim i madh për trajnerin Tuchel. Kjo pasi  Lukaku dhe Werner u dëmtuan të dy në ndeshjen përballë Malmo në Champions. Kjo do të thotë se sulmi i bluve do të duhet të mbështetet fort tek Mount.

Ish-mesfushori i Chelsea, Joe Cole, komentoi mbi rolin e futbollistit në ekip:

“Mount po kthehet në një nga lojtarët më të jashtëzakonshëm të momentit në vend. Disa fansa nuk e kanë shumë qejf, por u kërkoj atyre të ulen përpara ekranit. Ajo që ai bën është e jashtëzakonshme. Ende nuk kam njohur një lojtar, apo një trajner që nuk mendon se ai është një futbollist fantastik.”

Thomas Tuchel gjithashtu nuk mund t’i kursente fjalët e mira për Mount, duke thënë se ndeshja përballë Norwich ishte një çast i rëndësishëm për të:

“Ai (Mount) po luan më i shkujdesur me topin. Në ndeshjet e fundit duket sikur është më i lirë në fushë. Kjo është pikërisht ajo që kemi nevojë.”

Numri 1 i pankinës së Chelsea gjithashtu u pyet mbi garën për titull në Premier League, por gjermani u tregua mjaft professional me përgjigjen e tij:

“Nuk ka asnjë trajner në botë që t’ju japë një fjali të qartë, mbi favoritët për titullin kampion në tetor. Ne e dimë ku jemi, dhe e dimë se çfarë duhet të bëjmë.”

Ndërkohë kritikat për Norwich kanë vijuar dhe më tej. Skuadra ka humbur 7 nga 9 ndeshjet e zhvilluara deri më tani në kampionat, dhe shumë analistë e cilësuan paraqitjen e ekipit përballë Chelsea, si jo të denjë për Premier League. Joe Cole komentoi mbi momentin negative që po kalojnë “kanarinat”:

“Kur shikoj lojtarët, nuk mendoj se ata po luajnë për trajnerin e tyre. Shikoni gabimin që bëri Gibson, ishte totalisht mungesë profesionalizmi. Personalisht mendoj se duhet një person i ri në krye të pankinës. Nuk kishte aspak luftë apo pasion nga ana e lojtarëve.”

Trajneri Farke pranoi se skuadra ka shumë punë për të bërë përpara, por tha se nuk është momenti i duhur për të folur për rënien nga kategoria.

Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll