Connect with us

Futboll

Cristiano Ronaldo – A po e ndihmon apo jo portugezi klubin e tij?

ronaldo

Rikthimi i Cristiano Ronaldos në Old Trafford solli një gëzim të madh mes fansave të United, dhe jo vetëm. Portugezi ka shënuar disa gola të rëndësishëm që prej ardhjes së tij në Manchester, por “Djajtë e Kuq” përsëri gjenden në një krizë rezultatesh. Humbja e fundit 5-0 përballë Liverpool në shtëpi ka trazuar ujërat në ekipin e Solskjaer, dhe shumë personave u ka lindur pyetja e natyrshme: A po e ndihmon Cristiano Ronaldo klubin e tij?

United ka ndryshuar qartësisht stilin e lojës, për t’iu përshtatur profilit të CR7. Legjenda e kombëtares gjermane Bastian Schweinsteiger, ka thënë se kudo ku Ronaldo shkon, ai kalon në fokus kryesor, dhe shumë të tjerë mund të bien dakord me mendimin e gjermanit. Por cilat janë përfitimet dhe kostot që United po ndërmerr, pasi ka vendosur Ronaldo në qendër të lojës së vet?

Megjithëse jemi ende në javët e para të Premier League, ka plot 14 lojtarë që kanë shënuar më shumë gola se CR7 në kampionat. Këtu përfshihen dhe Hwang Hee-chan i Wolves si dhe Ismaila Sarr i Watford.

Përsa i përket goditjeve në portën kundërshtare, Ronaldo mban vendin e 9 në Premier League këtë sezon. Shokët e tij të skuadrës, Mason Greenwood dhe Bruno Fernandes rankohen më lart se Cristiano. Ndërkohë portugezi ka patur impakt mjaft të rëndësishëm në Champions League, duke shënuar në minutat shtesë, në dy takime, duke i dhënë United fitore shumë të vlefshme në fazën në grupe. Askush nuk e vë në diskutim se sulmuesi është ende në gjëndje të shënojë gola të rëndësishëm, por sa janë mundësitë e Ronaldo, për të qënë konsistentë në këtë moment të karrierës së tij? 

Analisti Souness i Sky Sports dha mendimin e tij:

“Ai (Ronaldo) do të shënojë gola dhe do të bëjë të lumtur tifozët, por nuk mendoj se mund të luajë në çdo takim. Une do t’i besoja atij por do t’i komunikoja: ‘Nuk mund të luash në çdo takim, por do të kesh një influencë të madhe në 9 muajt në vijim.’”

Sipas Souness, problemi i United është fakti që skuadra nuk luan dot në mënyrën që trajneri Solskjaer dëshiron. “Djajtë e Kuq” nuk munden të vendosin dominancën e tyre në fushë, si skuadrat e mëdha, duke bërë presing tek kundërshtari. Kjo gjë vjen dhe si pasojë e CR7, i cili nuk ka marrë deri më tani iniciativën për të shpenzuar më shumë energji në mbrojtje.

Përsa i përket impaktit të përgjithshëm në fushën e blertë, statistikat tregojnë se Ronaldo nuk është në formën e tij më të mirë, sidomos kur bëhet fjalë për performancën në mbrojtje. Presingu mbi kundërshtarin ka qënë shumë i ulët nga ana e portugezit, dhe shumë analistë argumentojnë se kjo është një nga arsyet se përse United po pëson më shumë gola këtë sezon.

Mark Ogden i ESPN ka thënë:

“Ajo që ka ndryshuar këtë sezon është Ronaldo. Ata (United) kanë një lojtar në krye që nuk bën shumë punë. Cavani vrapon kudo.  Ai nxiton për të rikuperuar topat e humbur, nxit shokët e skuadrës dhe tifozët. Nëse Ronaldo nuk është në fushë, United ëshë një ekip më i bashkuar.”

Alteo është një kontribues kryesor në "Portali Sportiv". Ka një eksperiencë disa vjeçare në fushën e gazetarisë sportive! Përcjell me pasion lajmin drejt audiencës tonë!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Futboll